Ana e errët

Grabitja e postës, dëshmia e punonjëses: Autori hyri i qetë dhe më vendosi armën në kokë

Gazeta Si – Gjatë grabitjes së postës në Kamzë, punonjëset e filialit tregojnë se kaluan momente ankthi.

Duke u bazuar në kamerat e sigurisë dhe në rrëfimin e bashkëpunëtorit (Algert Kurti) të autorit kryesor, Elis Suçi i vuri pistoletën në kokë një gruaje.

Në dëshminë e tij të siguruar nga Gazetasi.al, kërcënimit me armë nuk i ka shpëtuar as një punonjës tjetër.

Megjithatë, Suçi ka qëndruar gjatë gjithë kohës i qetë, derisa punonjësit e mbushën kutinë e kartonit me para.

Për të dy, Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të premte masën e sigurisë "arrest në burg".

Në fakt, paratë e grabitura tre ditë më parë në filialin e postës në Kamzë ishin të pensionistëve dhe ato u ekuestruan nga policia pas arrestimit të Suçit një ditë më parë.

Por më interesante në dëshminë e Algert Kurtit, është se ai kishte dijeni për planin e vjedhjes që në orët e para të mëngjesit, kur shoku i tij ishte zgjuar me mendimin se ajo ishte dita për të grabitur.

“Kam diçka për të të thënë”. Kështu e ka nisur bisedën me të arrestuarin  Algert Kurti, i arrestuari tjetër Suçi, i cili e takoi shokun e tij në lokalin “M.....”, pasi ai kishte dalë për kafenë e radhës.

Përfshirja e bashkëpunëtorit në grabitje

Sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, Kurti ka treguar se si u përfshi grabitje.

“Më tha: ‘Unë do shkoj të vjedh postën shqiptare’, dhe nëse mundesha ta ndihmoja dhe të qëndroja jashtë dhe ta njoftoja në rast se shkonte policia”.

I riu përmend se refuzoi dhe i tha se nuk mundej, por bashkëpunëtori e urdhëroi: “Ti do vish patjetër t’më ndihmosh”.

Më tej i riu i ka kërkuar shpjegime shokut të tij se çfarë duhet të bënte konkretisht. Suçi i ka thënë: “Në rast se vjen policia, merr një gur dhe hidhe në xhama që t’më sinjalizosh”.

Në këtë diskutim në kafene, ku Kurti në të vërtetë kishte dalë me një shok tjetër dhe se Suçin e ka takuar rastësisht, dy të rinjtë kanë replikuar.

“Kundërshtova sërish, duke i treguar se nuk mund të godisja me gurë, atëherë ai më tha hajde me mua, qëndro përballë dhe kruaj kokën nëse vjen policia”.

I riu insiston se duke refuzuar për të disatën herë, ka vijuar rutinën e tij, është ulur me shokët e tij në tavolinë, ku Elis Suçi mësohet ta ketë urdhëruar: “Ti nuk do ikësh”.

Sipas policisë së Kamzës, që zbardh detaje për Gazetasi.al, riu që rrëfen implikimin, u drejtua në dyqanin më të afërt për të blerë një pako fara.

‘Në këtë moment e pashë Elisin, kurse një orë më vonë dëgjova një zë gruaje që bërtiti dhe në vijim pashë nga posta shqiptare të dalë Elisi me një kuti kartoni në dorë. Ai iku me vrap përgjatë trotuarit në drejtim të qendrës Kamëz”.

Bashkëpunëtori i Suçit, shpjegon se vijoi rutinën e tij, bleu një pako pampersa që i duheshin t’i dërgonte në Laprakë dhe mandej, duke u kthyer për në shtëpinë e tij në Kamëz, rrugës e kapi policia.

I dyshuari përpiqet të shpëtojë, duke insistuar se nuk ka kryer vjedhje dhe se prania e tij përballë postës është një rastësi,

“Pashë që Elisi mbante një pistoletë gri dhe pak përpara se të mbërrinte tek posta e nxori nga brezi. Këtë veprim e kreu tek pallati, ku e pashë që e mbushi atë dhe e vendosi përsëri në brez”.

Suçi kishte informuar vetëm Kurtin, i cili nga ana e tij insiston se planin e shokut nuk ia tregoi askujt dhe se nuk mund të përfshihet në një ngjarje kriminale pa kryer asnjë veprim në grabitjen me dhunë të postës

Çfarë thanë dëshmitarët?

Këqyrjet e kamerave të sigurisë, tregojnë se si i kërkuari iu drejtoi armën punonjësve.

Ai mori një kuti kartoni dhe e hedh përtokë, sipas asaj që mëson Gazetasi.al. Pikërisht kamerat tregojnë se punonjësit të tmerruar marrin paratë në sirtarë dhe i hedhin brenda kutisë së kartonit.

Njëra nga dëshmitaret, S.M., tha në Policinë e Kamzës, se kur hajduti hyri i armatosur, i tha: “Nuk ju bëj gjë juve se ju njoh. Mos lëviz, do t’më jepni vetëm lekët dhe s’ju bëj gjë”.

Autori, sipas gruas, i vendosi armën tek koka dhe nën kërcënimin e saj, ai i mori 254.600 lekë.

“Më pas ai shkoi tek N., dhe e detyroi edhe atë që ajo t’i jepte lekët e kasafortës, duke ia drejtuar armën drejtpërsëdrejti dhe në vijim shkoi tek D.,  duke i thënë: ‘Nëse tregoni, do t’ju vras’”.

Punonjësit e shtypën butonin e alarmit pa dalë grabitësi nga posta, ndërkohë që secili prej tyre këmbëngul se nuk e njihte autorin.

Dëshmi me interes për hetimin policor, jep edhe punonjësit tjetër, D.Z.

“Hajduti hyri  krejt i qetë, dhe unë kujtova se ishte klient. Pastaj ai nxori armën dhe e mbushi dhe unë e kuptova, pasi dëgjova zhurmën që kërciti. Ai kishte në fytyrë një maskë të zezë nga ato të Covidit  dhe më drejtoi armën. Më tha: ‘Mos bëj zhurmë, nuk bëj asgjë, vetëm dorëzo lekët’. Duke thënë këto fjalë, ai hapi derën e banakut dhe hyri brenda dhe urdhëroi: ‘Hapni kasafortat’”, - e mbyll rrëfimin punonjës i filialit të postës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë