Lajme

Grabitja dhe plagosja e çiftit në Allias, kapet një prej autorëve

Policia e Tiranës ka zbardhur grabitjen e çiftit Petrit e Afërdita Lazaj në Allias, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 19 janarit, ku të dy mbetën të plagosur.
Policia thotë se një nga autorët është vënë në pranga, ndërsa është shpallur në kërkim autori tjetër, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Në sajë të operacionit policor “Mjegulla”, është vënë në pranga shtetasi Fatjon Mërtënika, 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërsa, në kërkim është shpallur shtetasi me inicialet M. C., si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.
Gjatë operacionit, policia ka gjetur të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.
Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera. Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.
Nga ngjarja e ndodhur më 19 janar, mbetën të plagosur të zotët e banesës çifti Petrit Laze dhe Afërdita Laze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë