Politike

‘Grabitja 10 mld euro’ – Rama e Haradinaj përfundojnë në gjykatë

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj duket se do të vendosin një rekord në nivelin më të lartë të politikës shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë dhe në raportet mes shefave të dy qeverive. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës jo vetëm që do të mbahen mend për konfliktet dhe përplasjet publike këtej dhe andej kufirit, por edhe do të takohen në gjykatë. Paralajmërimin e bëri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare njoftoi se do të padisë për shpifje kryeministrin në ikje të Kosovës. Ai tha se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta dorëzojnë padinë në Gjykatën e Prishtinës. Lëvizja e Ramës vjen pas akuzave publike të Haradinajt në një intervistë televizive, ku tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Rama kanë tentuar të grabisin miliarda euro nga ndarja e Kosovës. Sipas Haradinajt, 3 udhëheqësit planifikonin të grabisnin 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës nëpërmjet ndarjes territoriale të Kosovës, por ky plan, sipas kryeministrit në ikje, u prish prej tij.

“Me një investim jo më të madh sesa 140 milionë €, Trepça jep një fitim neto rreth 500 milionë €në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, thotë Haradinaj.

Kjo deklaratë ka bërë që Edi Rama të bëjë një lëvizje të paprecedentë dhe të bëhet gati për përballjen në gjykatë me Haradinajn, ashtu siç po bën me përfaqësuesit e opozitës në Tiranë dhe disa gazetarë, të cilët i akuzon për shpifje, ndërsa deri tani ka fituar 2 gjyqe.
“Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por një gjë di të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë i them unë… Domethënë që ti thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do të ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën dhe të marrësh akoma vota… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë!”, tha Rama në emisionin “Opinion”.

Edi Rama sqaroi se në gjyq nuk do të hedhë kryeministrin e Kosovës, por ish-kryeministrin, meqenëse Haradinaj ka dhënë dorëheqjen. “Dha dorëheqjen me demek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë dhe hera e fundit që të dal publikisht, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt.

Përplasjet Rama-Haradinaj

Të dy kryeministrat kanë pasur përplasje të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Haradinaj akuzoi kohë më parë Ramën se ky i fundit i ka ushtruar presion për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, si edhe që ishte një nga mbështetësit e planit për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë televizive në korrik, kryeministri Haradinaj “fshikulloi” këdo që mbështeste shkëmbimin e territoreve, duke thënë se Kosova nuk i kishte marrë asgjë Serbisë, që të detyrohej t’i jepte diçka. Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “disa nga armiqtë e Kosovës flasin shqip”.

“Në Uashington po lobohet nga Kosova, Serbia, por dhe Tirana zyrtare për t’i bindur zyrtarët amerikanë se korrigjimi i kufijve është formula e duhur. Po bëjnë shumë gabim”, tha Haradinaj duke nënvizuar se dhe media ka rënë në grackën e këtyre. “Kushdo që kërkon njohjen nga Serbia me shkëmbim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit të vitit 2008, i Kosovës së Pavarur dhe Kushtetutës. Kushdo që ende më tutje e zvogëlon këtë Kosovë është armik. Çdo ngacmim i kësaj arritjeje, apo çelje është kthim prapa për shqiptarët”, deklaroi kryeministri.

Ai hodhi akuza të forta, duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar pará në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burim i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën, duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, së bashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.

Rama, Haradinaj, Thaçi, Vuçiç, Merkel dhe Macron në Berlin

Por, përplasja e fortë mes Ramës dhe Haradinajt ishte pas takimit të Berlinit, ku kryeministri i Kosovës tha se kryeministri i Shqipërisë i kishte bërë presion në prezencë të liderëve të Ballkanit kancelares Merkel dhe presidentit Macron për heqjen e taksës. Rama ka një tjetër version dhe thotë që nuk i ka bërë aspak presion Haradinajt në Berlin, por i ka kërkuar që të pranojë propozimin e Francës. Ky propozim sipas Ramës ishte që Kosova të pezullonte dhe jo të hiqte taksën për disa muaj dhe presidenti francez në këmbim të kësaj lëvizjeje ofronte heqjen e vizave për Kosovën. “Sot qytetarët e Kosovës do të lëviznin pa viza dhe nuk do të ishin më në izolim, dhe kjo është mundësi që të vjen një herë”, tha Rama një natë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë