Njerez

Google na përgjon, edhe kur i themi që të mos e bëjë

Thuajse të gjitha pajisjet inteligjente kanë sot shtojcën “Location”, që nëse është e aktivizuar ju tregon vendndodhjen minutë pas minute. Por, ka nga ata persona që për arsye të thjeshta personale e sigurie nuk kërkon që t’u tregojë vendndodhjen tipave të panjohur që qëndrojnë pas kompjuterave të kompanive që mundësojnë këtë shërbim dhe e çaktivizojnë atë.

Megjithatë, duket se çaktivizimi është një mashtrim, të paktën në rastin e Google. Agjencia e lajmeve Associated Press përfundoi një hulumtim, në përfundim të të cilit thotë se pavarësisht nëse e çaktivizon apo jo “Location”, Google vazhdon të përgjojë e regjistrojë në serverat e saj vendndodhjen e tuaj çdo 60 sekonda.

Për të shpjeguar më thjeshtë, çdo herë që ju aktivizoni një shërbim si Google Maps, Google kërkon lejen dhe autorizimin tuaj për të përcaktuar vendndodhjen e pajisjes. Shërbimi funksionon edhe nëse ju nuk i jepni autorizimin për të lokalizuar vendndodhjen tuaj. Pra, me të drejtë shumë persona zgjedhin që t’ja mohojnë lejen Google. Por, sërish kompania amerikane vazhdon të regjistrojë vendndodhjen tuaj.

Associated Press thotë se çaktivizimi i “Location History” tek aplikacionet e Google parimisht dhe ligjërisht duhet të ndalojë kompaninë që të grumbullojë të dhënat tuaja sa i takon vendndodhjes dhe vetë Google e thotë këtë.

“Ju mund të çaktivizoni Location History në çdo kohë. Me Location History të çaktivizuar, vendet që ju shkoni dhe vizitoni nuk do të regjistrohen”, njofton kompania.

Por, duket se kjo nuk ndodh dhe e gjithë fraza e mësipërme është një mashtrim, të paktën sipas Associated Press. Agjencia e lajmeve thotë se disa aplikacione të Google vazhdojnë të ruajnë të dhënat sa i takon vendndodhjes edhe me “Location History” të çaktivizuar.

“Si shembull, Google ruan në fraksione të shpeshta kohore vendndodhjen tuaj përmes Google Maps, edhe nëse ju nuk e përdorni atë. Po ashtu, përmes përditësimeve automatike të parashikimeve të motit në pajisjet Android, Google tërheq në serverat e saj vendndodhjen tuaj të saktë dhe e regjistron atë”, thotë Associated Press.

Gunes Acar, bashkëpunëtor i Associated Press në këtë hulumtim e demonstroi të gjithë këtë zbulim duke lëvizur me një telefon Android me “Location History” të çaktivizuar. Megjithatë, në përfundim të udhëtimit të tij, historiku i hartës së lëvizjes kishte të regjistruar të gjithë rrugëtimin e bërë, që nga hipja në metro e deri tek udhëtimet nëpër Nju Jork.

Sipas artikullit, Google përgjon fshehurazi çdo lëvizje të rreth 2 miliardë përdoruesve të pajisjeve dhe shërbimeve të saj. Vetë kompania doli me një deklaratë fill pas publikimit të artikullit nga ana e Associated Press. Thotë se ka shumë mënyra për të regjistruar vendndodhjen e përdoruesve të pajisjeve dhe shërbimeve të saj dhe se shfrytëzon një pjesë të këtyre mënyrave për të përmirësuar shërbimet dhe rritur sigurinë e klientëve.

“Ne u sigurojmë klientëve tanë mjetet dhe shpjegime të qarta në këtë sektor. U japim mundësinë që të çaktivizojnë, aktivizojnë dhe fshijnë çdo gjurmë të historikut të vendndodhjes së tyre”, deklaron kompania.

Google ka të drejtë kur thotë se u mundëson të gjithë klientëve të saj mjetet për të ruajtur sekretin e vendndodhjes, por janë të paktë ata që arrijnë të kuptojnë këtë shërbim. E qëllimshme apo jo, Google mund të ndalohet së përgjuari dhe regjistruari historikun e vendndodhjes tuaj vetëm përmes shtojcës “Ëeb and App Activity” në llogarinë tuaj personale, që gjendet tek myactivity.google.com.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë