Biznes

Google, Facebook dhe Apple lobojnë me miliona euro në BE kundër rregullave të privatësisë

Propozimet e Bashkimit Europian për të ashpërsuar ligjet dhe rregullat sa i takon respektimit të privatësisë së qytetarëve dhe atyre kundër monopoleve në treg kanë nxitur kompanitë më të mëdha në botë të teknologjisë që të shpenzojnë miliona euro për lobim kundër këtyre rregullave.

“Corporate Europe Observatory” publikoi shumat e shpenzuara për lobim pranë institucioneve të Bashkimit Europian, ku Google është treguar më aktivja, ndjekur nga Facebook, Microsoft dhe Apple. Në listë nuk mungojnë as kompanitë kineze në top 10, që përfaqësohen nga kompania Huawei.

Observatori thotë se shënjestra e kompanive digjitale është propozimi i paketës ligjore të shërbimeve digjitale, ku BE ashpërson rregullat për shkelje të privatësisë dhe të monopoleve në treg.

Google dhe Facebook kanë qenë subjekt gjobash të majme nga BE dhe vendet anëtare të unionit për shkelje të privatësisë dhe për monopol në treg. Kompanitë po lobojnë në Këshillin dhe Komisionin Europian përmes miliona eurove për të minuar këtë paketë. Sipas vëzhgimit, Komisioni ka zhvilluar 271 takime, ose 75 për qind të tyre përgjatë 2020 për llogari të lobistëve hi-tech.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Corporate Europe Observatory” nga 2012 deri në 2020, numri i kompanive lobuese në institucionet e BE është rritur më shumë se dy herë, duke shkuar nga 5400 në mbi 12 mijë.

Observatori thotë se ky fenomen rrezikon që të minojë vendimmarrjen në interes të qytetarëve të Bashkimit Europian dhe propozon një paketë me disa pika për ta shmangur këtë. Së pari, kërkohet më shumë transparencë nga Komisioni dhe Këshilli Europian. Që të dyja institucionet akuzohen se po u shmangen detyrimeve për transparencë, të nxitura nga paratë e lobuesve.

Mes propozimeve është edhe ai që eurodeputetët dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së t’u ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet me dyer të mbyllura, të cilat nuk deklarojnë se kush i sponsorizon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë