Politike

Gonzato: Shqipëria, progres me negociatat por sfidë mbetet kryerja e reformave

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i BE Silvio Gonzato ndonëse deklaroi se Shqipëria ka pasur progres në negociatat me Bashkimin Europian, theksoi se kryerja e reformave mbetet ende një sfidë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Gonzato u shpreh se legjislacioni i Shqipërisë duhet të jetë në përputhje me atë të BE në të gjitha fushat.

“Kemi pasur progres në negociatat me BE. Çelja e negociatave për grupkapitullin 2, që është tregu i brendshëm, dhe grupkapitullin 3, që është konkurrueshmëria është gati duke u arritur.

Shqipëria ka çuar qëndrimin e vet negociues 10 ditë më parë dhe BE po përgatit qëndrimin e vet që të organizohet konferenca tjetër ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur. Ndaj mbështesim objektivin dhe qëllimin e madh të Shqipërisë për të çelur të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027 dhe për këtë arsye do të keni përkrah delegacionin e BE që do ju shoqërojë në këtë proces por edhe do t’ju monitorojë me një vëmendje të tejskajshme”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, theksoi se viti 2024 shënoi përparime edhe në klimën dhe zhvillimin e biznesit dhe ecurinë drejt tregut të BE-së.

“Shqipëria ndodhet në finish drejt BE-së dhe kjo pranverë do jetë e bukur për vendin. Së fundmi është vendosur hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë, një urë e fortë lidhëse dhe një hap i madh para në prioritetet e Shqipërisë.

Një afirmim i rëndësishëm i rolit të Shqipërisë në Ballkanin perëndimor, që kontribuon për paqen dhe progresin drejt familjes evropiane”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë