Futboll

Goditje e fortë për Sitin, UEFA e lë 2 sezone pa Champions

UEFA ka vendosur ta përjashtojë Mançester Sitin për dy sezonet e ardhshme të Champions League dhe nga të gjitha kupat europiane. Një dënim i rëndë për kampionët në fuqi të Anglisë, për shkak të shkeljes së rregullave të “fair-play”-it financiar. “Qytetarët” janë gjobitur edhe me 30 milionë euro. Tani drejtuesit e Mançester Sitit pritet t’i drejtohen tashmë KAS-it të Lozanës, pasi është shumë i zhgënjyer nga ky vendim.

Në njoftimin zyrtar të UEFA-s shkruhet: “Trupi gjykues, pasi analizoi me kujdes të gjitha provat, ka arritur në konkluzionin se Mançester Siti ka bërë shkelje të rënda të rregullores në lidhje me licencën e “fair-play”-it financiar, duke mbivlerësuar në bilancet e veta të ardhurat nga sponsorizimi. Ka bërë shkelje edhe në informacionet e bilancit të prezantuar në UEFA për periudhën 2012-2016. Klubi nuk ka bashkëpunuar në hetimin e kësaj çështjeje”.

Gjatë vitit 2018 janë publikuar dokumente dhe “email”-e komprometuese nga gjermania “Der Spiegel”. Veçanërisht janë publikuar disa “email”-e që duhej të mbeteshin private, që bënin të qartë se klubi anglez kishte fryrë shumën e sponsorizimeve për të rregulluar bilancin e “fair-play”-it financiar. Zbulohej nga këto dokumente se nga 65 milionë stërlina, 57 ishin kaluar në llogaritë e klubit direkt nga pronarët, ndërkohë që rezultonin se ishin të ardhura nga sponsorizimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë