Lajme

Goditi Ramën me këpucë, lirohet banori i Astirit

Lirohet banori i Unazës së Re që goditi me këpucë kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij në Spitalin Ushtarak për të parë efektivët e plagosur nga protesta e banorëve të Astirit para Parlamentit.
Gjykata e Tiranës ndryshoi sot masën e sigurisë për Ilir Katiraj, duke i caktuar “detyrim paraqitje”.
50-vjeçari qëlloi me këpucë ndaj kryeministrit Rama, teksa ai doli nga Spitali Ushtarak.
Pas vizitës, në një prononcim të shkurtër për mediat para spitalit, Rama tha se humbja e gishtave të dorës të efektives së policisë, Ina Nuka vendosi vijën e kuqe mes paligjshmërisë dhe mbrojtësve të ligjit.
Prononcimi i tij u ndërpre nga thirrjet e banorëve të Astirit, të cilët njëzëri bërtisnin: Turp! Turp!
Dhjetëra banorë të Unazës së re kanë qenë sot në mbështetje të Ilir Katirajt si dhe kanë kërkuar lirimin nga burgu edhe të Daniel Dobraj, i cili akuzohet se ka qëlluar me kapsolle efektiven Ina Nuka.
Djali i Katirajt u shpreh se dhënia e drejtësisë ka qenë e vonuar, ndërsa babai i tij do t’i bashkohet protestës që prej pasdites së sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë