Rend dhe Ligj

Goditet grupi kriminal i trafikut të armëve dhe lëndëve eksplozive Shqipëri-Kosovë, kapen 46 kg tritol. Tre në pranga

Gazeta Si- Një grup kriminal që dyshohet se trafikonte armë dhe lëndë eksplozive nga Kosova drejt Shqipërisë., është goditur në Tiranë.

Sipas policisë, gjatë kontrolleve në Kamzë dhe në një godinë në Bathore, janë sekuestruar 46 kg lëndë eksplozive

Tre persona ranë në pranga, të gjithë nga Gjilani, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Të arrestuarit janë Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë. Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat.

Gjatë aksionit, Policia e Tiranës ka sekuestruar disa armë, ndërsa në një bazë të grupit, është sekuestruar një sasi e madhe me kallëpë tritoli.

Tritoli dhe armët hynin në Shqipëri nga Kosova dhe shiteshin në tregun e brendshëm me çmime të ndryshme. Tritoli u shitej anëtarëve të grupeve kriminale në disa qytete të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë