Rend dhe Ligj

Gledis Nano, vizitë ngushëllimi në familjen Avdia: Erdha si prind dhe si qytetar

Gazeta Si - Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka bërë një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes Avdia, e cila humbi vajzën e saj, pasi u godit me skaf nga polici Arjan Tase në bregdetin e Potamit.

Nano ka thënë për mediat se kërkon që vizita e tij të mos keqinterpretohet, pasi kishte ardhur aty për t’i shprehur ngushëllimet e tij familjes si prind dhe qytetar.

“Falënderoj familjen Avdia që më mirëprit, - tha Drejtoi i Policisë pas vizitës në banesën e prindërve të Joniadës. - Nuk dua të keqinterpretohet, kam marrë pjesë për t’i shprehur me shumë hidhërim nga shpirti ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të fëmijës, kam ardhur si prind e si qytetar dhe falënderoj familjen Avdia e cila i mirëpriti ngushëllimet e mia dhe përveç përgjegjësive se çfarë ka ndodhur, i mirëkuptoj dhe i falënderoj që ngjyrime të caktuara i kanë lënë mënjanë dhe janë duke vuajtur të gjithë atë se çfarë ndodhi”, tha Nano.

Familja Avdia i dha lamtumirën një ditë më parë vogëlushes 7-vjeçare, e cila humbi jetën pasi u godit nga skafi që drejtohej nga efektivi i policisë Arjan Tase.

Ngjarja tragjike ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit në Himarë. Polici Tase u arrestua për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Menjëherë pas ngjarjes, Gledis Nano shkarkoi Tasen dhe gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë së Policisë Kufitare të Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë