Gazeta Si – Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka bërë një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes Avdia, e cila humbi vajzën e saj, pasi u godit me skaf nga polici Arjan Tase në bregdetin e Potamit.
Nano ka thënë për mediat se kërkon që vizita e tij të mos keqinterpretohet, pasi kishte ardhur aty për t’i shprehur ngushëllimet e tij familjes si prind dhe qytetar.
“Falënderoj familjen Avdia që më mirëprit, – tha Drejtoi i Policisë pas vizitës në banesën e prindërve të Joniadës. – Nuk dua të keqinterpretohet, kam marrë pjesë për t’i shprehur me shumë hidhërim nga shpirti ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të fëmijës, kam ardhur si prind e si qytetar dhe falënderoj familjen Avdia e cila i mirëpriti ngushëllimet e mia dhe përveç përgjegjësive se çfarë ka ndodhur, i mirëkuptoj dhe i falënderoj që ngjyrime të caktuara i kanë lënë mënjanë dhe janë duke vuajtur të gjithë atë se çfarë ndodhi”, tha Nano.
Familja Avdia i dha lamtumirën një ditë më parë vogëlushes 7-vjeçare, e cila humbi jetën pasi u godit nga skafi që drejtohej nga efektivi i policisë Arjan Tase.
Ngjarja tragjike ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit në Himarë. Polici Tase u arrestua për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Menjëherë pas ngjarjes, Gledis Nano shkarkoi Tasen dhe gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë së Policisë Kufitare të Vlorës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.