Futboll

Gjysma e trajnerëve të Superiores në rrezik, Mema “luftë” me Tiranën

Gjysma e skuadrave të Superiores janë gati të ndryshojnë trajner. Situata është mjaft delikate, veçanërisht për Tiranën, ku Ardian Mema nuk ka më besimin e drejtuesve të klubit. Humbja në derbin me Partizanin dhe barazimi në Vlorë me Flamurtarin kanë bindur presidentin Refik Halili dhe stafin e tij për të bërë lëvizje në stol, por problemi qëndron në mënyrën si do të ndahen me Memën.

Trajneri aktual nuk ka në plan të japë dorëheqjen. Në fund të fundit, sportivisht nuk ka pse ta bëjë, përderisa Tirana është vetëm një pikë larg vendit të parë. Pastaj, nëse jep dorëheqjen, Mema privohet nga përfitimet financiare të kontratës që ka firmosur me Tiranën. Drejtuesit e klubit, edhe pse nuk e mbështesin në këtë moment, nuk duan ta shkarkojnë trajnerin, pasi në këtë mënyrë janë të detyruar të paguajnë detyrimet kontraktuale. Duket një luftë e heshtur mes palëve dhe asnjëra prej tyre nuk e hedh hapin për të zhbllokuar situatën. Emrat që qarkullojnë për pasuesin e Memës janë Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli. Nëse Tirana duhet të ndërrojë trajner, është momenti i duhur, sepse kjo fundjavë është pushim dhe ai që do të vijë do të ketë kohë të njohë skuadrën.

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Nuk janë më të forta pozitat e italianit Franko Lerda te Partizani. Me rezultatet e deritanishme ai është mjaft i rrezikuar për t’i dhënë lamtumirën ekipin të kuq. U duk se fitorja në derbi i dha “oksigjen”, por barazimi me Teutën në “Selman Stërmasi” ka rikthyer rrezikun e lartë për Lerdën. Ndryshe nga Tirana, që i ka alternativat gati, te Partizani për momentin nuk qarkullon asnjë emër kandidati për të marrë drejtimin e ekipit. Të kuqtë janë në vend të 6-të, por edhe ata e kanë vetëm 1 pikë larg kreun.

Sulejman Starova gjithashtu është një nga trajnerët e rrezikuar për t’u shkarkuar. Laçi i tij ka zhgënjyer në këtë fillim të kampionatit, ku as në fushën e tij nuk po arrin të shfaqet si në sezonet e fundit. Tre barazime radhazi, vend i 8-të me 7 pikë, e bëjnë situatën të nxehtë edhe për Starovën. Një situatë e ngjashme edhe për Shpëtim Duron te Kukësi. Dy humbje radhazi janë shumë për një skuadër që pretendon titullin kampion, por Duro është i bindur se e ka situatën nën kontroll. Për të mos përmendur emrin e trajnerit të Flamurtarit, Dritan Sadedini, gjithmonë i rrezikuar në këto javë të para. Ndërprerja e kampionatit këtë fundjavë u vjen në ndihmë trajnerëve të rrezikuar, të cilët mund ta përgatisin më mirë ndeshjen e radhës.

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë