Gjysma e rasteve ditore me koronavirus në Maqedoninë e Veriut janë më variantin britanik. Lajmi është bërë i ditur nga ministri maqedonas i Shëndetësisë, i cili deklaroi të mërkurën se përhapja e këtij varianti të ri kishte rritur presionin ndaj qeverisë për sigurimin e vaksinave. Të mërkurën, vendi fqinj shënoi shtatë viktima dhe 347 raste me Covid-19, një shifër më e ulët se rastet ditore në vendet e tjera të rajonit, por autoritetet janë të alarmuara për përhapjen në komunitet të variantit britanik.
Ky mutacion, i cilin është edhe më ngjitës dhe më vdekjeprurës, është duke u përhapur kryesisht në Ohër, Strugë, Shkup dhe Tetovë. Pacienti i parë me këtë variant virusit në këtë laboratori është diagnostikuar më 13 janar 2021 në Ohër dhe që prej atëherë prezenca e tij është rritur së bashku me rritjen e rasteve të reja. Mjekët maqedonas ndërkohë paralajmërojnë se për shkak se transmetueshmërisë së madhe të variantit të ri, me siguri do të bëhet dominues në vend pas disa muajsh.

Qeveria e Zoran Zaev shpreson se me nisjen e vaksinimit të mërkurën dhe respektim të masave mbrojtëse përhapja e virusit do të vihet nën kontroll. Vaksinimi kundër Covid-19 në vend filloi dje në spitalin modular në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, falë vaksinave të Pfizer që iu dhuruan Maqedonisë së Veriut nga Serbia.
Ministri Venko Filipçe dje deklaroi se në bazë të sondazheve, 70% e numrit të punonjësve shëndetësor duan të vaksinohen kundër Covd-19.
“Vaksinat janë të sigurta. Të zhvilluara në platforma të sigurta. Mbrojnë 100%, pothuajse të gjitha vaksinat të cilat tani janë në treg, mbrojnë nga vdekja dhe forma e rëndë e sëmundjes. Kjo është mënyra e vetme të ndryshohet gjendja e epidemisë në botë”, ka deklaruar Filipçe.
Maqedonia e Veriut planifikon të vaksinojë fillimisht mjekët dhe pastaj të moshuarit. Në fazën e parë ajo do të vaksinojë 4.000 punonjës shëndetësor, 2.000 prej të cilëve janë në Shkup. Çdo punonjësi shëndetësor i cili e merr vaksinën menjëherë do t’i rezervohet doza e dytë për rivaksinim, edhe pse dozat e dyta nga Pfizer nuk kanë mbërritur ende. Deri në fund të muajit Maqedonia e Veriut pret të marrë edhe 200 mijë vaksina nga kompania kineze “Sinofarm”, doza shtesë nga Pfizer dhe dozat e Astrazenerca nga Covax.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Ekaterina Zaharieva deklaroi po ashtu se së shpejti do të dhurojnë vaksina për Maqedoninë e Veriut, kur do të kenë sasi të mjaftueshme nga BE-ja.
“Tani fillon furnizimi i rregullt me vaksinat nga ana e BE-së dhe shpresoj se së shpejti do ta kemi mundësinë të dorëzojë vaksina në Maqedoninë e Veriut”, thotë Zaharieva.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



