Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Gjykata rrëzon Prokurorinë për të thirrur si dëshmitar Gazmend Bardhin

Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për të thirrur deputetin demokrat Gazmend Bardhi si dëshmitar në seancën e radhës për Arbër Paplekajn, i pandehur për vrasjen e Pjerin Xhuvani në 21 prill 2021.

Sipas Gjykatës, Bardhi mund të ishte thirrur më herët, por përderisa nuk është përfshirë në hetim, nuk do të thirret në këtë moment.

Bardhi, në atë kohë drejtues politik i Partisë Demokratike për Elbasanin, ka qenë i pranishëm në momentin kur ndodhi konflikti i armatosur me pasojë vdekjen e Pjerin Xhuvanit.

Vrasja ndodhi në 21 prill 2021, kur një konflikt mes dy grupimeve mbështetëse të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste degradoi në përdorimin e armëve. I vrarë mbeti Pjerin Xhuvani mbështetës i PS-së, ndërsa u vetëdorëzua për krimin Arbër Paplekaj truprojë e drejtuesit politik të PD në Elbasan në atë kohë, Gazmend Bardhit.

Paplekaj ishte pjesë e së ashtuquajturës strukturë e posaçme për mbrojtjen e votës që ngriti në atë kohë Partia Demokratike dhe që u konfirmua publikisht nga vetë ish-Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu.

Në seancën e radhës të gjyqit të Arbër Paplekajt, gjykata thirri si dëshmitarë familjarët e viktimës Pjerin Xhuvani, por ata nuk u paraqitën së bashku me avokaten mbrojtëse Rezarta Tahiri.

Në procesin gjyqësor deri tani janë thirrur 59 dëshmitarë dhe nëse pranohet, Bardhi do të jetë dëshmitari i 60-të.

Në hetim janë edhe 8 punonjës të policisë së Elbasanit, mes tyre edhe dy ish-nëndrejtorët, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi.

Këta akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe mosveprim në ditën e ngjarjes për të parandaluar konfliktin e armatosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë