Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Arbër Paplekajn, autorin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ndërsa për 10 të akuzuarit e tjerë, gjykata ka vendosur detyrim paraqitje.
Nën masa të rrepta sigurie, kanë mbërritur në Gjykatën e Elbasanit 11 personat e arrestuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Paplekaj është i dyshuari kryesor për vrasjen e 56-vjeçarit, ndërkohë që gjatë përplasjes u plagosën dhe 4 persona të tjerë, përfshirë dhe një oficere policie.
Ish-efektivi i RENEA-s, akuzohet për kryerjen e veprave penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.
Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Paplekaj ka deklaruar se ndihet i tronditur nga ngjarja. Ai thotë se është trajnuar për të mbrojtur jetë njerëzish, ndërsa thekson se është i tronditur nga humbja e jetës së një njeriu.
“Jam i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi. Nuk e kisha menduar se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt, për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pavarësisht rrethanave ekstreme për mbrojtjen e vetes dhe personave më të cilët isha”, ka thënë Paplekaj, raporton ‘News24’.

Lidhur me këtë ngjarje, është shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maj” në Elbasan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i PS-së për Elbasanin, Pjerin Xhuvani. Në këtë përplasje, mbeti e plagosur efektivja e policisë, Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.
Sipas policisë, përplasja me armë ndodhi për shkak të dyshimeve të shtabit elektoral të PD, se një makinë e shtabit të PS-së po shpërndante para në këmbim të votave.
Masat e përshkruara nga prokuroria:
Arbër Paplekaj, për tre akuza: vrasje, vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë dhe heqje e lirisë me dhunë;
Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.