Drejtësia

Gjyqi i Metës, avokati kundër akuzave të SPAK: U ngritën për ta goditur politikisht

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, në gjyqin e themelit ndaj Ilir Metës dhe ish-deputetes, Monika Kryemadhi, avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani, tha se akuza e SPAK për çështjen “CEZ-DIA” është e motivuar politikisht.

“Kallëzimi penal i parë nuk ishte për z.Meta, ishte për Sali Berishën dhe kabinetin e tij për koncesionin, jo individualisht. Më pas çuditërisht u kallëzua edhe Meta nga Romeo Kara. CEZ-DIA është një ndërmarrje shtetërore. DIA është një kompani amerikane. Meta nuk është përmendur kurrë. Akuza është bërë për të goditur Metën. Në 15 faqe përmblidhet çështja e shekullit, pastaj faqet e tjera janë për t’u mbushur. Kjo është luftë politike. Dhe luftën politike, nuk mund ta materializosh me akuzë, sidomos për një akuzë të rëndë për korrupsion”, – tha Cakrani.

Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në seancë, tha se pretendimet për përfshirjen e tij në çështjen “CEZ-DIA” bazohen te “gënjeshtra” dhe përmendi një email të vitit 2016, për të cilin pretendon se nuk përmend emrin e tij apo të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Më vjen keq që Dritan Prifti nuk është mes nesh, por gënjeshtrat e tij janë mes nesh. Ai ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA, por dokumentet tregojnë ndryshe”, deklaroi ish-presidenti në sallën e gjyqit.

“Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA. Ka një email që dërgon Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës”, – vijoi Meta.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë