Reperi i njohur Stresi ngelet në burg. Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg”.
Reperi u vu në pranga më 17 tetor në dhomën e një hoteli në Linzë, pasi Gjykata e Tiranës kishte firmosur urdhrin e arrestimit. Stresi akuzohet për trafik droge dhe krime kundër personit.
Sipas avokatit të tij Marash Ibraj e ka quajtur arrestimin e Stresit të paligjshëm.
“Nuk ka pasur vendim gjykate për kontroll. Nuk vërtetohet se pistoleta e gjetur i përkiste klientit tim. U kap i zhveshur, ku e kishte armën?”, është shprehur avokati Ibraj.
Ndërsa, edhe babai i tij, Sali Lushaj, ka reaguar pas arrestimit të të birit. Me anë të një postimi në “Facebook” Lushaj shkruan se çdo gjë është e sajuar dhe e përgatitur nga mllefi dhe tërbimi pas padisë që ai kishte bërë në gjykatë ndaj Taulant Ballës.
“Si mund të quhet grup i madh kriminal kur nuk është arrestuar askush tjetër. Kjo është shpifje e fëlliqur”, shkruan Sali Lushaj në “Facebook”.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit'", thuhej në deklaratën e policisë ditën e arrestimit.
Gjithashtu, policia publikoi edhe videon ku dukej se Arkimed Lushaj ishte arrestuar brenda në dhomën e një hoteli në zonën e Linzës ku dhe i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.