Politike

Meta: Lojëra mafioze! KED e humbi besimin, dilema për shortin

Presidenti Ilir Meta doli me relacionin e përgatitur nga stafi i tij me arsyetimet juridike për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por në vend të leximit të këtij relacioni, që e vlerësoi si të gjatë e shterues, por të lodhshëm për gazetarët, zgjodhi që daljen ta shfyrtëzonte për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Meta tha se Kushtetuta nuk përcakton afate për Presidentin dhe hodhi akuza të forta ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjit me mënyrën dhe afatet e dorëzimit të listave në Presidencë dhe Kuvend.

“KED është një institucion i cili merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asgjë tjetër. Kushtetuta tregon qartë sesi krijohet Gjykata Kushtetuese dhe thotë qartë që Presidenti ka të drejtën e parë për të plotësuar vakancën e parë, pastaj është parlamenti dhe në këtë mënyrë përsëritet renditja. Në këtë plan dhe aspekt është detyra e KED që të rregullojë listat e vakanceve, të kritereve dhe afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese, të respektohet ligji dhe të mos kemi përplasje mes institucioneve”, tha Presidenti.

Sipas kreut të shtetit, KED jo vetëm që nuk respektoi përcaktimet kushtetuese dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, por shkoi më tej me disa vendime që ai i cilësoi si “të dyshimta dhe mafioze”.

“KED është organ kolegjial dhe merr vendime vetëm kolegjiale. Por, kryetari i KED të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën sesi i dërgon listat për vakancat që krijohen mes Parlamenti dhe Presidenitt, në mënyrë të tillë, tepër të dyshimtë dhe pa e tepruar mafioze, që të vendosë pPesidentin në këtë pozitë, që o të shkelë detyrimisht Kushtetutën, që thotë qartë që Presidenti plotëson vakancën e parë dhe pastaj Parlamenti plotëson vakancën e tjetër. Po nëse Presidenti shkel Kushtetutën, pastaj Parlamenti me të drejtë do ta anatemonte Presidentin si shkelës i Kushtetutës”, shtoi Meta.

Meta e ricilësoi si kontrabandë botimin në Fletoren Zyrtare të emërimit të Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe gjatë gjithë konferencës me pyetje-përgjigje me gazetarët nënkuptoi vazhdimisht se nuk do të organizonte ceremoni betimi për të. Presidenti nuk përmendi as faktorë dhe as aktorë që e kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese për dy vjet, por dukshëm nënkuptoi mazhorancën socialiste dhe këtu foli edhe për diplomatë të huaj të korruptuar.

“Nuk kemi dashur të dëmtojnë procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, si ata që e lanë vendin për dy vite pa Gjykatë Kushtetuese, që bllokuan dy KED derisa gjetën një kryetar të tillë KED-je. Gjykata Kushtetuese është lënë jashtë pune qëllimisht dhe kjo nuk duhet të mos ndodhte për asnjë ditë. Këtë ua kamë thënë me dhjetra herë, edhe disa diplomatëve të huaj të korruptuar. Kjo nuk ka ndodhur prej vettingut, por kjo ka ndodhur se në krye KED duhet të vinte një ushtar i verbër i partisë, i cili në kundërshtim edhe me statusin që ka bën lojëra të tilla personale që të vendosë në pozitë Presidentin e Republikës, kryetarin e shtetit, Komandantin e Forcave të Armatosura, që ose të shkelë Kushtetutën, ose me lojëra të tilla të turpshme, që as një fëmijë rrugaç nuk i bën që t’i rrëmbejnë kompetencën që i ka dhënë Kushtetuta Presidentit”, shtoi ai.

Presidenti mbrojti emrin e Marsida Xhaferllarit. Në vlerësimin e tij, ajo ishte kandidatja më e kualifikuar në listën që KED i kishte propozuar Presidencës dhe foli për një vlerësim me ngjyrime politike të kandidaturës së saj nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

“Është emri me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga KED. Është emri më i diskriminuar dhe duket qartë se për çfarë arsyesh dhe është një person që nga dy persona tërësisht të shfaqur politikisht brenda KED, ka marrë vlerësimin 0, ndërkohë që është personi më i kualifikuar. Këto janë të qarta”, u shpreh Meta.

Presidenti u shfaq i bindur se ai ka respektuar vetëm Kushtetutën, ndërsa akuzoi KED për standarde të dyfishta në vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, mes personave që kreu i shteti i ka çuar KED-së për të kryer vlerësimin ka patur kandidatë shumë më të kualifikuar, por që janë skualifikuar nga gara nga vendimet e KED-së, që e akuzoi gjithashtu edhe për mosrespektim të vendimeve të gjykatave për rikthimin në garë të kandidatëve të skualifikuar.

KED përbëhet nga 9 anëtarë dhe ka një mandat 1-vjeçar. Mandati i Këshillit aktual mbyllet në datë 5 dhjetor. Kjo do të thotë se më 15 nëntor duhet të nisë procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KED-së, që kryhet me shorti. Procedurat për hedhjen e shortit i përcakton Presidenti i Republikës. Por, në këtë konferencë për shtyp, Meta shfaqi dilemën nëse do të zhvillojë këto procedura, nisur nga vendimet dhe veprimtaria e KED-së aktuale.

“Kam qenë në një dilemë, nga kryetari aktual i KED dhe mungesa e bashkëpunimit nga Kuvendi më ka vënë në një dilemë. Ndoshta është edhe përgjegjësia jonë që gjithë komunikimin me KED nuk e bëmë publike se nuk e mendonim marrëzinë e tyre deri në këtë shkallë. Që kanë patur synim kapjen e gjykatës dhe të gjithë sistemit dihej, por jo deri në këtë shkallë”, tha Meta.

Megjithatë, ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë ka parashikuar mekanizma zhbllokues nëse Presidenti nuk hedh shortin në fjalë. Sipas këtij ligji, nëse deri në datën 5 dhjetor Presidenti nuk e ka hedhur shortin, atëherë është kryetari i Kuvendit që organizon shortin deri në datën 10 dhjetor.

Ndërkohë, në fund të fjalës së tij, Presidenti Ilir Meta nuk pranoi që mes tij dhe Kuvendit kishte një përplasje.

“Ka vetëm një vullnet dhe komunikim mes Presidentit me Kuvendin dhe KED. Ka një informim të vazhdueshëm të Presidentit me Parlamentin. Është Presidenti ai që kërkon zgjidhje, respektimin e Kushtetutës, edhe të hënën në mëngjes ka qenë Presidenti që i ka kërkuar Kuvendit të ushtrojë me përgjegjësi kompetencat e tij”, u shpreh Meta.

Më Shumë