Politike

Meta: Parlamenti me një dekret presidencial shpërndahet

Për të ilustruar rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese për shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e lirive të qytetarëve, Presidenti Ilir Meta i kujtoi mazhorancës se Parlamenti me një dekret presidencial shpërndahet.

“Askush të mos e përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Parlamenti me një dekret shpërndahet, qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet, Presidenti me një 'impeachment', nga një Parlament legjitim, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata kushtetuese jo”, deklaroi Presidenti në hyrje të Hotel Rogner në Tiranë për punimet e një konference për barazinë gjinore.

Deklarata mbërrinte pak pasi Taulant Balla prezantoi projektrezolutën në Kuvend kundër vendimit të Presidentit që emëroi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Balla akuzoi Metën për përpjekje për të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Por, Meta akuzoi mazhorancën se po bën përpjekje për të dhunuar Kushtetutën dhe për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Këto përpjekje janë të dështuara, të vdekura”, paralajmëroi Presidenti.

Pyetjes së gazetarëve se këto deklarata të forta të tij nënkuptonin se Presidenti po mendon shpërndarjen e Parlamentit, apo referendum popullor kreu i shtetit nuk i ktheu përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë që t’i tregojmë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve të tyre. Secili të shikojë detyrën dhe të zbatojë kompetencat e veta. Veprimet do të jenë nga Presidenti institucionale. Në momentin e duhur Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe ndërkombëtarëve”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë