Njerez

Odisea e mundimshme për të dënuar dy pedofilë shqiptarë

Nga Gazeta Si - Dy raste të abuzimit seksual me të mitur brenda familjes të regjistruara në vitet 2021-2022, kanë përfunduar në gjykatë, në favor të viktimave, duke u dhënë dy autorëve pedofilë dënime maksimale.

Rasti i Libohovës, ku një 53-vjeçar u akuzua se kishte abuzuar prej 4 vitesh me mbesën e tij 12-vjeçare në atë kohë, sot 17-vjeç, u dënua 33 vjet burg por me gjykim të shkurtuar përfitoi 1/3 ulje të dënimit duke u dënuar përfundimisht 22 vite burg.

Kjo çështje nisi në janar të këtij viti dhe vendimi përfundimtar u shpall disa ditë më parë.

Çështja tjetër i përket një ngjarje të rëndë në Durrës, ku denoncimi u bë nga nëna e viktimës së abuzimit seksual, 8-vjeç atëherë, sot 17 vjeç, dhe procesi gjyqësor për pedofilin me iniciale L.K nisi në vitin 2021, ndërsa vendimi u mor në qershor të këtij viti, 28 vite burg.

Të dy autorët pedofilë akuzohen për abuzim seksual me të mitura prej një periudhe të gjatë kohore, ku viktimat kanë pasur lidhje familjare me ta.

Të dyja rastet janë përfaqësuar në gjykatë nga ekipi ligjor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëve, CRCA.

A ishin procese të lehta?

Burime nga CRCA thonë se juristët e qendrës ndërhynë në këto dy çështje që në fillim të njohjes me rastet.

“Në fillim nuk ishte e lehtë të mblidhje fakte mbi autorët pedofilë pasi nuk e pranonin se kishin abuzuar. Rasti i Libohovës duhet thënë se ishte më i vështiri pasi vetë viktima nuk tregonte në fillim se çfarë i kishte ngjarë. Zbulimi i abuzimit u bë rastësisht në spital nga mjekja, pasi në vitin 2021, vajza 16-vjeçare shkon në gjendje të rëndë me hemoragji si pasojë e dëmtimit të uterusit. Dyshimet e para të mjekes gjinekologe ishte ose marrëdhënie seksuale me të rritur ose abort. Vajza, në prezencë të familjarëve të saj dhe psikologes, pas disa seanca bisedash, ka treguar me detaje se si daja i babait kishte filluar abuzimin me të që në moshën 12-vjeç”, tregojnë burimet nga CRCA.

Por detajet më të rënda që janë pjesë e dosjes penale të CRCA, përfshijnë dhe faktin që pedofili jo vetëm që nuk u tërhoq nga krimi por vijoi me presion psikologjik duke abuzuar deri në momentin kur vajza dyshohej se kishte mbetur shtatzënë.

Ekipi ligjor i CRCA nuk e pati të lehtë procesin dhe përsa i takon boshllëqeve ligjore që nuk lejonte që përfaqësimin e vajzës në proces gjyqësor ta kishin prindërit, por duhej dërguar menjëherë në qendrën e viktimave të trafikuara në Kamëz, gjë që u pengua sepse ishte në dëm të adoleshentes.

“Nga momenti kur ndodhi ngjarja deri në janar 2021 nuk kishim zgjidhur akoma çështjen civile të përfaqësimit tonë ligjor për viktimën. Në janar 2022 çështja mori udhë dhe me faktet që na dhanë dhe familjarët dhe dëshminë kryesore të vajzës që e regjistruam audio, ngritëm padinë në gjykatë. Këto ditë viktima u dënua me 22 vite burg, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

Historia e rëndë e Durrësit ka të njëjtën linjë me Libohovën, por denoncimi ishte direkt nga nëna e vajzës.

“Abuzimi I njerkut ndaj të miturës u zbulua një mbrëmje teksa gruaja luante në telefonin e të shoqit. Ai punonte në Call Center dhe ishte mjeshtër i teknologjisë dhe duke ditur këtë fakt, gruaja e tij kur sheh videon e regjistruar nga i shoqi në telefon, ku shihej vajza e saj që kryente marrëdhënie me bashkëshortin, ia dërgon direkt së ëmës dhe të nesërmen bashkë me familjarët e saj, e thërret në shtëpi për ta demaskuar. Kështu çështja ndaj tij ishte më e qartë, sepse ekzistonin prova konkrete”, thonë juristët.

Por cili është fati i viktimave?

Viktima e Libohovës sot jeton në Tiranë, e strehuar në një nga qendrat sociale ku po ndjek një kurs profesional dhe po ndjek dhe vitin e fundit të gjimnazit.

Ndërsa familja e saj është shpërngulur nga fshati, ku veç turpit e stigmës, gjendet në konflikt me familjarin e saj, dajën që u dënua maksimalisht në gjykatë.

“Ishin familjarët vetë që pasi dëgjuan vajzën që tregonte historinë e abuzimit para 4 vitesh, bënin lidhje të ngjarjeve më pas, kur daja ishte shumë i pranishëm në familje. Ai i blinte viktimës veshje dhe orë të shtrenjta dhe kujdesej për të, duke e marrë në shtëpi pothuajse çdo mbrëmje.

Vajza tregon se kur ishte 12-vjeç dhe u abuzua nga daja, asnjë nga familjarët, as nëna dhe motra e madhe nuk u ra në sy, pse ajo u kthye po atë natë nga daja në mesnatë me hemoragji, pas dhunës seksuale. Të gjithë kujtuan se ishte faji i menstruacioneve dhe deri në momentin kur vajza shkoi në spital e mbytur në gjak, asnjë prej familjarëve nuk shfaqi asnjë dyshim.

Të dy pedofilët kanë një linjë të njëjtë të abuzimit, personi nga Libohova abuzonte në mbrëmje dhe personi nga Durrësi në mëngjes herët, pasi gruaja e tij shkonte në punë.

“Janë dy ngjarje të rënda që kanë lënë pasojë tek viktimat. Duhen terapi të gjata me psikologë që trauma e tyre të kalojë. Teksa rasti i Libohovës sot është adoleshente dhe gati për të krijuar lidhje të re, vajza tjetër viktimë e abuzimit në Durrës akoma ka nevojë për mbështetje psikologjike. Që në sistemin publik as që bëhet fjalë të ofrohet”, thonë juristët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë