Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ballukut, mbetet në fuqi pezullimi nga funksionet

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga ushtrimi i funksioneve të saj.

Me këtë vendim, trupa gjyqësore nuk ka ndryshuar vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta, duke konfirmuar vazhdimin e masës së pezullimit ndaj ish-zëvendëskryeministres.

Balluku kishte kërkuar rikthimin në detyrë përmes rekursit në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar masën e vendosur në kuadër të një çështjeje penale ku ajo është marrë e pandehur për shkelje të dyshuara në procedurat e tenderimit.

Ajo është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për çështjen e tenderit të Tunelit të Llogarasë dhe për hetimet që lidhen me 7 lotet e Unazës së Madhe. Për të është vendosur gjithashtu ndalimi i daljes jashtë vendit.

Në muajin prill, SPAK zgjati me tre muaj afatin e hetimeve ndaj Ballukut.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë më herët rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes. Në seancën plenare të 12 marsit, 82 deputetë votuan kundër kërkesës, ndërsa 47 votuan pro.

Vendimi i Kuvendit u shoqërua me debate të forta politike. Opozita kërkoi që t’i jepej rrugë kërkesës së SPAK, duke argumentuar se imuniteti parlamentar nuk duhet të pengojë hetimet e drejtësisë.

Nga ana tjetër, shumica parlamentare argumentoi se situata juridike kishte ndryshuar pas largimit të Ballukut nga funksionet ekzekutive dhe se masa e kërkuar nga SPAK nuk kishte më të njëjtin efekt.

Vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi pezullimin e Ballukut nga funksionet, ndërsa hetimet ndaj saj nga SPAK vijojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë