Lajme

Djali i deputetit Rraja mbetet në burg: Basha ta provojë në votime

Gjykata e Krujës konfirmoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për djalin e deputetit Rrahman Rraja, Rexhepin, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj Xhisiela Malokut.

Si prova hetimore prokuroria radhit akt-ekspertimin ku duken shenjat e dhunës ndaj vajzës, sikurse shenja të djegies nga cigarja, por edhe përgjimin ambiental mes saj dhe Rexhep Rrajës, një përgjim i kryer në ambientet e organit të akuzës në datën 29 shtator. Duke iu referuar tërheqjes nga kallëzimi, prokuroria thotë se në dëshminë e parë, ku denoncohet dhuna në komisariatin 3, më pas edhe tek oficeri Emiliano Nuhu, ka përputhje me provat e mbledhura gjatë veprimeve hetimore.

Dhunimi i vajzës u bë publik pak ditë më parë, kur oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj 25 vjeçares dhe akuzoi policinë për neglizhencë, si dhe tregoi se ishte kërcënuar me armë në prani të deputetit Taulant Balla. Por Xhisiela Maloku, në dy intervista televizive mbremjen e së hënës tha se dëshmitë e saj ishin të rreme dhe se djali i deputetit nuk e kishte dhunuar. 

Pasi u njoh me masën, Rexhep Rraja u pyet nga gazetarët teksa zbriste shkallët e gjykatës, lidhur me çështjen dhe në një koment të shkurtër. 

“Lulzim Basha ta provojë në votime”, u shpreh shkurt djali i deputetit Rraja.

Në seancën gjyqësore të pranishëm për ta mbështetur ishin miqtë e tij, por u vu re mungesa e të atit, deputetit socialist, Rrahman Rraja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë