Lajme

Gjykata e Durrësit lë në burg dy tatimorët

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “Arrest në burg” për dy inspektorët tatimorë të Drejtorisë së Përgjithshme që u arrestuan tri ditë më parë për mitmarrje.

Dy Inspektorët e Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë do të vijojnë të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa kanë të drejtë të apelojnë vendimin brenda harkut të dhjetë ditëve.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës në vijimësi të hetimit dha për Gentian Elezin 29 vjeç dhe Artan Krojin 37 vjeç, masën e sigurimit personal “arrest me burg”.

Dy zyrtarët akuzohen për “korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “shpërdorim të detyrës”.

Dy inspektorët u arrestuan tri ditë më parë nga policia e Durrësit pas një hetimi proaktiv 3-mujor. Dy të arrestuarit në bashkëpunim edhe me një inspektor tjetër të shpallur në kërkim shpërdoronin detyrën dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë