Drejtësia

Gjykata e Apelit liron ish-ushtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj. Refuzohet kërkesa për ekstradim në Hagë

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lirojë nga burgu ish-luftëtarin e UÇK-së Dritan Goxhaj, të burgosur për llogari të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

I arrestuar për llogari të Gjykatës Speciale në Kosovë, ai akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke rrëzuar ekstradimin dhe liruar ish-luftëtarin e UÇK-së.

Gjyqtari Gent Shala vendosi refuzimin e ekstradimit dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi.

Avokati Ardian Visha, apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës që pranoi ekstradimin. Ne seancën e sotme ishte i pranishëm edhe vetë Goxhaj

Goxhaj qëndronte në paraburgim që prej muajit korrik. Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës, se me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të pyetur, duke i intimiduar.

Pavarësisht të gjithë argumenteve të dhëna nga mbrojtja për shkelje të Kushtetutës nëse pranohej ekstradimi i ish-luftëtarit të UÇK-së, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë pranoi në shtator kërkesën e Prokurorisë Speciale te Kosovës dhe i hapi rrugë dërgimit të tij në Gjykatën e Hagës për t’u përballur akuzën e intimidimit të dëshmitarëve.

Por avokatët e kundërshtuan këtë vendim dhe e ankimuan. Kështu “Apeli” vendosi në favor të tij duke e liruar.

Një ditë më parë, vetë Goxhaj reagoi nga qelia ku theksoi se ky është një operacion i mirëfilltë ruso-serb për të pastruar imazhin e Rusisë si vend agresor ndaj Ukrainës në 2022 dhe më parë ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008.

Mekanizimi që ndiqet është që të krijohet një klimë mediatike barazie në agresion mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë mënyrë përmes mediave dhe politikave të ndryshme, ndërhyrja e NATOS-s në favor të Kosovës në 1999 të shihet si agresion ndaj Serbisë, - shkruante ai. -  Pra si një akti terrorist ndaj serbëve dhe sllavët të jenë viktima në këtë rast, kur viktimë ishte populli i Kosovës. Dhe për këtë i duhen dhe disa ish-luftëtarë të UÇK-së që të dënohen si kriminelë lufte. Dhe një ndër ta është edhe Dritan Goxhaj, i cili do të ekstradohet për llogari të Prokurorisë Speciale të Kosovës me seli në Hagë”.

Për Goxhajn, Prokuroria në këtë rast po punon për interesat juridiko-politike të Serbisë dhe Rusisë, duke dënuar një luftë të drejtë të popullit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë