Lajme

Gjonaj: Vettingu ktheu besimin te drejtësia. Hahn inkurajon Shqipërinë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka deklaruar se “Vetting-u në drejtësi ka kthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”.

Nga Brukseli, Gjonaj theksoi se vendimi i qershorit për çeljen e negociatave, do të jetë hap i madh për vendin tonë. Teksa foli në emër të qeverisë shqiptare, Gjonaj tha se rruga e Shqipërisë drejt BE është pa kthim.

“Komisioni Europian u dha një shtysë të rëndësishme reformave me vendimin e qershorit. Vetting-u në drejtësi ka kthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Bashkimi Europian në krahun tonë në zbatimin e reformave na jep më shumë kurajë për të vazhduar në krijimin e shtetit të së drejtës. Qëllimi jonë është familja e përbashkët europiane. Procesi i sotëm është vetëm fillimi, në rrugën drejt BE. Në emër të qeverisë shqiptare, shpreh angazhimin për të vijuar me sukses rrugën drejt këtij procesi”, shprehet Gjonaj.

Në këtë konferencë të përbashkët, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, nuk i ka kursyer fjalët e mira për Shqipërinë. Ai tha se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së.

“Shqipëria ka bërë progres sa i takon reformës në drejtësi dhe është në rrugën e duhur drejt BE”, u shpreh Hahn.

Gjithsesi Hahn theksoi se duhet akoma shumë punë që të arrihet rezultati i duhur deri në verë të 2019. Sa i përket reformës gjyqësore, Komisionieri Europian theksoi se vettingu është një detyrë për Shqipërinë.

“Nuk kam ditë fikse në mendje, por jam i kënaqur nga procesi i vettingut, duhet bërë akoma punë, ka shumë punë për të bërë deri në verën e vitit 2019, e mbështesim shumë këtë proces, por është edhe një detyrë shumë e fortë nga ana e Shqipërisë, që duhet ta përmbushë dhe nuk duam të humbasim aspak kohë, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm,të mos harrojmë që duhet shumë punë për t’u bërë që të arrijmë rezultatin e duhur deri në verë të 2019″, tha ndër të tjera Hahn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë