Lajme

Gjonaj ‘shkrin’ Inspektoratin e Mjedisit në Tiranë, shkarkohen 15 zyrtarë

Task Forca Antikorrupsion rekomandon shkarkimin nga detyra të kryeinspektorit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit – Drejtoria Rajonale e Qarkut Tiranë si dhe të 8 inspektorëve pyjorë dhe 6 inspektorë mjedisorë të po këtij institucioni.
Ministrja e Drejtësisë, e cila mban dhe postin e koordinatores kombëtare të antikorrupsionit shtoi se janë rekomanduar gjithashtu edhe 13 masa të tjera disiplinore.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë janë rekomanduar 8 masa disiplinore për staf drejtues dhe administrativ të këtij institucioni.
Në raportin e përjavshëm, ajo e vuri theksin edhe te rezultatet e Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë evidentuar 27 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të administratës publike dhe janë proceduar penalisht 37 autorë.
Po ashtu, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve ka rekomanduar marrjen e masave administrative për 3 drejtues të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për shkelje të ligjit dhe shpërdorim të detyrës.
“Këto rezultate dhe efekti i drejtpërdrejtë që kanë ato në perceptimin e publikut për nivelin e korrupsionit në vend, na motivojnë për të vazhduar me të njëjtën këmbëngulje dhe të njëjtën ashpërsi ndaj kujtdo punonjësi të administratës apo qytetari që do të kryejë akte korruptive”, nënvizoi ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë