Lajme

Gjonaj përshëndet operacionin e policisë dhe prokurorisë

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka përshëndetur aksionin e policisë dhe prokurorisë për arrestimin e disa personave në rrethe të ndryshme të vendit. Në një dalje për mediat, ministrja bëri bilancin e task-forcës antikorrupsion.

Gjatë kësaj jave janë konstatuar shkelje në ZRPP e Durrësit dhe burgun e Burrelit.

“Nga shkeljet e konstatuara lidhur me procedurat administrative të ndjekura në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, janë rekomanduar 18 masa disiplinore, vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra, për Regjistruesin si dhe për 17 specialistë të këtij institucioni. Ndërkohë, pritet të dilet me konkluzione në një sërë institucionesh të tjera të inspektuara si spitale, drejtori rajonale tatimore, zyra të tjera regjistrimi pasurish të paluajtshme”, u shpreh Gjonaj.

Gjithashtu, në vazhdën e hetimeve administrative në burgje janë identifikuar një sërë nëpunësish të përfshirë në shkelje të ligjit apo afera korruptive. Në burgun e Burrelit janë referuar në prokurori për ndjekje penale 3 punonjës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe janë rekomanduar masa administrative për 23 punonjës të tjerë.

Ministrja ka përmendur edhe rezultatet e javës së shkuar gjatë të cilës strukturat e Policisë së Shtetit, kanë ndaluar dhe arrestuar 23 persona në rrethet Elbasan, Korçë, Kurbin, Lezhë e Tiranë.

“Ndërkohë që ne përgatitemi të publikojmë reformën e rëndësishme të pronës, goditjet e fundit që lidhen edhe me pronën, janë fillimi i një pastrimi të madh të titujve të pronësisë në zonën e bregdetit. Falënderojmë, mbështesim dhe nxisim prokurorinë të vijojë të godasë korrupsionin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, u shpreh ministrja. Sipas Gjonajt do të goditet cdo akt korruptim, në të gjitha nivelet e administratës pas asnjë dallim ngjyre politike apo përkatësie. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë