Gazeta Si - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.
Sipas GJND-së, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në Rafah të Gazës.
Izraeli ka pak të ngjarë që të zbatojë një urdhër të tillë, teksa GJND-ja tha se situata në Rripin e Gazës është përkeqësuar.
Në vendimin e GJND-së po ashtu u tha se Izraeli “duhet të mbajë të hapur pikëkalimin në Rafah” që e lidh Gazën me Egjiptin, “për ofrimin e papenguar të shërbimeve bazike dhe ndihmës humanitare”.
Gjykata tha se Izraeli duhet t’iu ofrojë qasje hetuesve në territorin e rrethuar dhe të raportojnë brenda një muaji për përparimin e bërë.
Vendimi u mor nga një panel prej 15 gjyqtarësh nga e mbarë bota, me 13 vota për dhe dy kundër. Gjyqtari nga Uganda dhe ai nga Izraeli votuan kundër vendimit.
Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.