Drejtësia

GJKKO shtyn sërish vendimin për Fredi Belerin, avokati: Proces i paligjshëm dhe i montuar

Gazeta Si - Pas tre orësh seancë, GJKKO shtyu sërish vendimin për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Vendimi pritet të jepet në seancën e radhës që do të mbahet në datën 5 mars në orën 13:30, ku pritet që të flasë edhe vetë Beleri, i cili sot nuk mundi për shkak të përfundimit të orarit zyrtar. 

Për mediat avokati i Belerit u shpreh se procesi është i paligjshëm dhe i montuar. Ai deklaroi se përgjimi ndaj Fredi Belerit ka nisur që para se të regjistrohej procedimi penal ndaj tij, pra në kundërshtim me ligjin.

"Provuam me prova që Prokuroria nuk na ka dhënë prova, për bashkëpunëtorin e policisë dhe Prokurorisë. Cituam dhe udhëzimin përkatës ku është paguar në mënyrë të paligjshme. Pasi është arrestuar Beleri, kanë filluar të rregullojnë të gjitha letrat. Proces i paligjshëm dhe i montuar, standard i dyfishtë. Nga data 8 maj deri në 14 maj janë siguruar tabulatet, por ai nuk ka qenë fare në Himarë", - tha Geni Gjyzari.

Ai shyoi se “urdhri i përgjimit është firmosur në datë 9 Maj ndërkohë që përgjimet kanë nisur që në datë 8 Maj 2023. Nuk është gjetur pajisja origjinale e përgjimit dhe nuk u pranua kërkesa e Belerit për t’u dëgjuar në gjykatë”.

SPAK kërkoi javën e kaluar 2 vite e 6 muaj burg për Belerin. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.

Për të pandehurin tjetër Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK ka kërkuar dy vite burgim, të cilat i janë konvertuar në 4 vite shërbim prove.

Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë