Drejtësia

GJKKO rrëzon Berishën e Malltezin, Gjokutaj: Seanca dokumentoi shkeljen e radhës së gjykatës

Nga Gazeta Si- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për përjashtimin nga seanca të gjyqtares Irena Gjoka.

Avokati Genc Gjokutaj tha për median se gjykata gjithashtu ka rrëzuar dhe kërkesën e tyre për humbjen e fuqisë së masave për shkak të tejkalimit të afateve për zbardhjen e vendimit.

Berisha dhe bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi akuzohen për privatizimin e kompleksit Partizani.

“Ne kërkuam përjashtimin e gjyqtares, e dyta kërkesë. Një reagim krejt i ftohtë dhe një vendimmarrje si të gjitha të tjerat. Sigurisht kjo seancë ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës”, tha Gjokutaj për median.

Ai tha se “vendimi i zbardhur na u dha sot. Imagjinoni që vendimet janë të pa ekzekutuara, vendimet janë të pa depozituara në sekretarinë e gjykatës. Ndërkohë që Gjykata dhe Prokuroria flisnin sikur ato vendime janë komunikuar. Ne e konsiderojmë të pa ekzekutuar atë vendim, pavarësisht se këta i qëndrojnë shkeljes. Një gjykatë dhe një prokurori që shkel Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale e ka në dorë të dytë. Të dyja kërkesat janë rrëzuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë