Drejtësia

GJKKO lë në burg porositësin e atentatit ndaj Inez Hajrullës në Vlorë

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli shtetasin Muharem Koroveshi, i arrestuar si një nga organizatorët dhe porositësit e atentatit në tentativë ndaj Inez Hajrullës në Vlorë verën e vitit të shkuar.

I njohur edhe me dy mbiemra të tjerë, Ismaili dhe Myftaraj, dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim dhe kishin kontraktuar shtetasin Amarildo Nikollin.

Në seancën e kësaj të hëne të zhvilluar me dyer të mbyllura, 35-vjeçari ka zgjedhur të mos flasë para gjykatës.

35-vjeçari nga Shkodra u arrestua në Vlorë teksa lëvizte më me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje më 8 gusht të vitit që lamë pas.

Plot 6 muaj më pas mësohet se objektiv i atentatit që u arrit të parandalohej me arrestimin e Amarildo Nikolli ishte Inez Hajrulla.

Ky është atentati i tretë që Hajrulla i njohur si i forti i Vlorës arriti t’i shpëtojë. Arrestimi 35- vjeçarit Nikolla në gusht të 2023, çoi Prokurorinë e Posaçme në gjurmët e një tjetër të dyshuari dhe operacionit të koduar “Trekëndëshi’ për të cilin policia informoi dy ditë më parë.

Me urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme, në Vlorë u vu në pranga Muharem Koroveshi i njohur dhe me mbiemrat Ismaili dhe Myftaraj, ndërsa u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, pasi dyshohet se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasje ndërsa akuzohen për një sërë veprash të tjera penale si grup i strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë