Drejtësia

GJKKO e refuzoi, SPAK kërkon një tjetër masë sigurie për Alqi Bllakon

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka kërkuar masë të dytë sigurie ndaj ish-deputetit Alqi Bllako dhe Mirel Mërtirit për inceneratorin e Elbasanit.

SPAK i është drejtuar gjykatës me kërkesë për një masë sigurie ndaj Bllakos, 2 javë më parë, por GJKKO e ka refuzuar këtë kërkesë.

Ndërkohë pas refuzimit SPAK e ka ankimuar këtë vendim, duke iu drejtuar Apelit të Posaçëm për miratimin e kësaj kërkesë dhe caktimin e masës së ‘arrestit me burg’ ndaj Bllakos dhe Mërtirit.

Shqyrtimi i kësaj kërkesë është shtyrë për të enjten (24 nëntor) dhe Apeli do dalë me një vendim nëse do ta miratojë kërkesën e SPAK për Bllakon apo jo.

LEXO EDHE:
– ‘Jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam 3 fëmijë’, çfarë tha Alqi Bllako në gjykatë, dhe enigma se pse nuk u pyet se ku ishte para arrestimit
– Afera me inceneratorët, GJKKO rikthen Alqi Bllakon në qeli pas kërkesës së SPAK-ut

Ndërkohë, avokatët e të akuzuarve për skandalin, kanë dorëzuar prapësimet e tyre në prokurori këtë të mërkurë.

Ata kundërshtojnë akuzat, por kërkojnë gjykim të shkurtuar çka në fund të procesit u mundëson uljen e një të tretës së dënimit.

Bllako akuzohet tashmë jo vetëm “për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”, por edhe për “korrupsion”, duke bërë që pozitat e tij para trupës gjykuese të rëndohen edhe më shumë.

Para disa ditësh Bllako u rikthye sërish në qeli, pas disa provave të tjera, për të cilat SPAK pretendon që ish-deputeti duhet të qëndrojë “pas hekurave”.

Burimet bëjnë me dije se pas sekuestrimit të kompjuterit të ish deputetit pas marrjes së tij si i pandehur, janë gjendur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë. Sipas SPAK.

Ish-deputeti dyshohet se ka shkëmbyer e-maile  nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë  “Alb tek energy”, Klodian Zoton, duke e informuar këtë të fundit mbi  procedurën e dhënies me koncension të Inceneratorit të Elbasanit. 

Referuar dosjes, ai i përcillte Zotos, e-mailet  e zyrtarëve të ministrisë së Mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.

Nga ana tjetër biznesmeni Mirel Mërtiri vijon të jetë i shpallur në kërkim, pavarësisht përfshirjes së emrit të tij në të ashtuquajturën “afera e inceneratorëve”.

Ndërkohë, 5 persona, mes tyre zv.presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, u arrestuan me urdhët të SPAK-ut në lidhje me këtë aferë, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë