Politike

Gjin Gjoni kandidat për deputet nga PD, Kim mesazh për liderët: Mbani përgjegjësi

Vetëm një ditë pasi gjyqtari Gjin Gjoni dha dorëheqjen përmes një letre, nga sistemi i drejtësisë, (duke iu shmangur edhe vettingut) në disa media, dhe jo pa qëllim u shpërnda një lajm që ai ishte propozuar nga disa grupseksione të PD-së Lezhë dhe Tiranë për kandidat për deputet.

Kjo është hera e parë që emri i tij lakohet në strukturat bazë në Partinë Demokratike. Futja në lojë e Gjin Gjonit në fakt nuk duhet parë si diçka e rastësishme, duke ia faturuar bazës emrin e tij, por si diçka e komanduar nga lart.

Këtë gjë sa duket e ka kuptuar mirë edhe Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim

e cila ka një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit e partive politike në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Paralajmërim: Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhje, liderët do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi verifikoni kandidatët tuaj – mos i fyeni votuesit, mos e minoni demokracinë, mos nxitni korrupsionin”, shkruan ambasadorja Kim.

Presidenti Ilir Meta ka ripostuar mesazhin e Ambasadores amerikane, ndërsa nuk ka qëndruar në heshtje as PD-ja.

Jorida Tabaku jo vetëm e ka ripostuar qëndrimin e ambasadores amerikane, por ka përcjellë edhe një sqarim: “...Të gjithë kandidatët e zgjedhur dhe të emëruar do të vetohen si në asnjë parti tjetër në rajon”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë