Lajme

Gjiknuri në Kukës: Ulje rekord në humbjet e energjisë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektoi zyrën e Kujdesit ndaj Klientit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Kukësit.

“Jemi këtu tek zyrat e shërbimit të klientit të Operatorit të Shpërndarjes. Një zyrë model nga pikëpamja e infrastrukturës. Me informacionet që kam edhe nga drejtuesit e operatorit në qarkun Kukës, edhe qarku Kukës që përgjithësisht ka qenë problematik në të kaluarën, ka përmirësime të dukshme përsa i përket arkëtimeve dhe uljes së humbjeve”, theksoi ministri Gjiknuri.

Më tej, ai u ndal tek statistikat e publikuara për rezultatet e 9-Mujorit të OSHEE-së duke nënvizuar se vazhdon konsolidimi në uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve.

“Ne patëm rastin të publikojmë edhe shifrat e fundit të 9-Mujorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe rezultatet aty janë jashtëzakonisht të dukshme përsa i përket përmirësimit, duke shënuar një rekord historik me mesatare humbjesh nën 24% për vitin 2018. Pra, po ta krahasojmë me para disa vitesh humbjet kanë qenë mbi 45% dhe ulja është drastike. Jemi në një situatë krejt tjetër ku ne po synojmë standarde edhe më të larta. Edhe për sa i përket pikëpamjes së arkëtimit, Operatori i Shpërndarjes këtë vit prapë paraqitet me një performancë më të mirë”, u shpreh Gjiknuri.

Në vlerësimin e ministrit, këto rezultate tregojnë se konsolidimi i reformave po jep efekt duke ulur humbjet, rritur arkëtimet dhe shëndoshur financiarisht kompanitë publike. Kjo sipas tij i ka bërë kompanitë të afta të përballojnë edhe sfida hidrike pa kërkuar të mbështeten nga Buxheti i Shtetit siç ndodhte më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë