Lajme

Gjetja e re e kryeministrit- kravata me yllin pesëcepësh

Kryeministri Rama di si të tërheqë vëmendjen dhe jo vetëm me deklaratat se do të mbyllë kazinotë apo pikat e llotove apo me ligjin antishpifje. Shpesh e bën edhe me zgjedhjen e veshjeve. Nga atletet e famshme “Adidas”, tek shallvaret e zeza të stilistit japonez. Në emisionin “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga, kryeministri zgjodhi të shfaqet me një kravatë që mbërthente shikimin, ku mes nuancave të kamuflazhit shfaqej një yll pesëcepësh, që evokon simbolin me të cilin identifikohet një prej liderëve legjendarë të revolucionit kuban, idealistin marksist Che Guevara, me yllin në beretën e tij ngjyrë ushtarake.

Nëse kërkon në motorin Google, për simbole komuniste me yll, rezultatet të çojnë në figura të ngjashme me yllin në kravatën e kryeministrit Rama.

Ai e ka bërë këtë zgjedhje pikërisht në ditën e lindjes së dikatorit komunist Enver Hoxha, 16 tetor, që shënon edhe 110- vjetorin e njeriut që këtë simbol dikur e vendosi në flamurin kombëtar.

Por i pyetur nga Drejtori i News 24 Andi Tela për domethënien dhe nëse ka lidhje me 110-vjetori i lindjes së diktatorit Enver Hoxha Rama tha se është për kënaqësi.

Andi Tela: Çfarë simbolizon ylli në kollare? Ditë e veçantë sot ka gjë lidhje?

Edi Rama: Kur të dish autorin e kravatës, të çon për shpifje dhe në vendin e autorit të kravatës ikën në burg…

Andi Tela: Pse pikërisht sot?

Edi Rama: Shijet nuk diskutohen. Dhe kur pyet për kuptimin e një shenje bën pyetjen që bënte realizmi socialist, lidhja e formës me përmbajtjen. Kjo është thjesht kënaqësi. Çfarë date është sot?

Robert Rakipllari: Është 110-vjetori i lindjes së merhumit.

Edi Rama: Ju kujtoni merhumin unë kujtoj Ismail Qemalin.

A është një nga zgjedhjet estetike të kryeministrit që gjithnjë ka spikatur me stilin origjinal dhe jo rrallë ekscentrik, një mesazh-homazh apo një ngacmim për kritikët e rrjeteve sociale që mund të kalojnë edhe ditë të tëra duke debatuar me pasion veshjet e tij po aq sa mbylljen e kazinove, ligjin Antishpifje apo çështjen, të shndërruar në thuajse prodhim hollivudian “Babalja”? 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë