Politike

Gjesti i Borchardt, Këshilli i Ambasadorëve: OSBE ta dënojë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptare dënon gjestin e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, i cili i tregoi gishtin e mesit disa prej protestuesve. Me anë të një deklarate për median ky Këshill shprehet se kërkon prej secilit prej tyre të respektojë popullin shqiptar, si të drejtën legjitime të çdo Shqiptari për të protestuar paqësisht.
Për shkak të funksioneve të tyre diplomatike, por edhe preferencave personale, Kryetarët e OSBE-së në Shqipëri, përfshirë edhe vetë Borchardt, sipas Këshillit kanë qenë figura të njohura në jetën publike të vendit. Për ketë arsye, ata nuk mund të pretendojnë imunitet nga kritikat për aktivitetet ose qëndrimet e tyre politike, për të cilat ata janë dhe do të jenë vazhdimisht në syrin kritik të publikut.
“Në këtë kuptim, reagimi i zotit Borchard ishte fyes, aspak etik dhe mbi të gjitha jo dinjitoz për një përfaqësues të lartë të OSBE-së, misioni i të cilit është të ndihmojë Shqipërinë të ndërtojë institucionet e saj demokratike dhe sundimin e shtetit ligjor. Mungesa e respektit e reagimeve të tilla mund të cenojë reputacionin dhe besueshmërinë e organizatës në Shqipëri. Ne mbesim besimplotë se sjellje të tilla të pa kujdesshme dhe jo profesionale të Kryetarit të Pranisë të OSBE-së në Shqipëri do të shqyrtohen me seriozitet nga zyrtarët më të lartë të Organizatës, nga Kryesia e Radhës dhe nga Sekretariati i OSBE-së, si dhe do të merren masat përkatëse disiplinore në linjë me rregullat, kodin e etikës dhe procedurat e tjera për raste të tilla”, thuhet në këtë deklaratë.
Ambasadori Borchardt po kalonte përpara drejtorisë së Policisë së Tiranës më 13 tetor, ku gjatë një grumbullimi të një grupi protestuesish që kërkonin lirimin e të ndaluarve nga policia, u lëshuan thirrje në adresë të tij. Si gjest kundërshtimi për thirrjet e hedhura, Borchardt ngriti gishtit fyes në drejtim të protestuesve. Kjo shkaktoi reagime të forta nga shoqëria civile dhe nga opozita. Ndërsa vetë ambasadori do të mbante një reagim duke kërkuar ndjesë për gjestin e tij. “Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, do të deklaronte ambasadori Borchardt.

https://twitter.com/OSCEinAlbania/status/1183706404839985153

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë