Gjermania është bërë sot zyrtarisht vendi i parë në Europë që ka pranuar se ndodhet në valën e dytë të pandemisë së koronavirusit së ri, duke paralajmëruar se rritja e rasteve të reja nuk është asgjë tjetër veçse një shpërthim i dytë.
“Gjermania tashmë ka hyrë në valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, tha kryetarja e shoqatës kryesore gjermane të mjekëve. "Ne po e gjejmë veten tashmë në një shpërthim të dytë", thekson Susanne Johna në një intervistë për gazetën bavareze “Augsburger Allgemeine”.
Ajo shtoi se spitalet gjermane ishin përgatitur, por që kësaj radhe ata duhet të ndërmarrin një qasje graduale, duke shtuar shtretërit spitalorë për pacientët e rinj me koronavirus, ndërkohë që infeksionet rriten në vend që t’i shtrojnë menjëherë në njësitë e kujdesit intensiv.
Aktualisht ka 21,000 shtretër të kujdesit intensiv në Gjermani, me afërsisht gjysmën e tyre që aktualisht janë bosh. Johna tha se vala e dytë nuk ishte e krahasueshme me valën e parë, por paralajmëroi se Gjermania nuk do ta përballonte këtë valë aq me sukses sa të parën.
"Ne të gjithë dëshirojmë normalitet, por jemi në një gjendje jo normale" tha ajo, duke u bërë thirrje gjermanëve të zbatojnë kufizimet dhe masat parandaluese siç është veshja me maskë.
Instituti gjerman Robert Koch për kontrollin e sëmundjeve tha se rreth 879 raste të reja ishin konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit. Autoritetet gjermane duan ta parandalojnë përhapjen e virusit edhe duke identifikuar dhe vepruar me shpejtësi në zonat që janë më të prekura. Spitalet janë të përgatitura për një rritje të numrit të pacientëve me COVID-19. Qeveria dhe politikanët po përpiqen ta ruajnë normalitetin me aq sa të munden, sepse nuk duan të shkojnë drejt karantinës. “Një skenar si në pranverë nuk duhet të përsëritet”, theksoi ministrja e arsimit, Karin Prien.
Mjekja paralajmëron se vala e dytë mund të frenohet vetëm me zbatimin e rregullave per distancën dhe higjienën, për sa kohë nuk ekzistojne barnat për trajtimin e Covid-19. Por për këtë nevojitet disiplinë, dhe kjo sa vjen e bie te të gjithë qytetarët.
Gjermania, pavarësisht rritjes së rasteve, ishte shteti i parë që hapi shkollat pas pushimeve verore. Vetëm jashtë klasave duhet të ruhet distanca. Në klasa kjo nuk do të jetë e mundshme, sepse nuk ka mjaftueshëm mësues. Në landin me popullsi më të lartë, Nordrhein-Westfalen, duke filluar nga klasa e pestë e lartë mbajtja e maskës në klasë është me detyrim.
Që tani mund të thuhet me siguri se në shkolla do të kthehen edhe fëmijët e infektuar. Testet e bëra me pushuesit e kthyer tregojnë se 2,5 për qind e tyre rezultojnë të infektuar. Por deri tani në këto testime vullnetare marrin pjesë vetëm 40 për qind e të kthyerve. Pra, përqindja reale mund të jetë shumë më e lartë.
Ekspertja Ulrike Protze paralajmëron se testet negative nuk japin informacion të sigurt nesë je i infektuar ose jo. Virusi mund të ndodhet në fazën e inkubacionit. “Kjo mund të përjashtohet vetëm nëse bëhet një test i dytë pas katër-pesë ditësh”, tha ajo në një intervistë në ARD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.