Lajme

Gjermania: Sa më shpejt zbatimi i reformës në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka pritur në një takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit në parlamentin gjerman. Delegacioni i kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Stephan Brandner, përbëhej nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik të Bundestagut: CDU/CSU, SPD, FDP, Të Majtët, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe AfD.

Në qendër të diskutimit ishin reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat synojnë forcimin e shtetit ligjor në vend dhe njëkohësisht përmbushjen e standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit europian të vendit.

Në këtë kontekst, një vend të rëndësishëm zë Reforma në Drejtësi, zbatimi i së cilës është duke realizuar një ndryshim radikal dhe unik në llojin e vet në të gjithë rajonin, por edhe më gjerë. Sipas ministres Gjonaj, rezultatet e para të procesit të vettingut janë pritur me optimizëm nga shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë.

Lidhur me çështjen e ngritur nga delegacioni gjerman për mënyrën sesi do të plotësohen vakancat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të krijuara nga vettingu, ministrja Gjonaj është shprehur se mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale për miratimin e ndryshimeve ligjore për kuotat e reja për Shkollën e Magjistraturës, miratim i cili nuk u arrit për shkak të mosvotimit të tyre nga opozita.

Tani pritet ngritja e dy këshillave me qëllim që të përcaktohet numri i studentëve që do të ndjekë Shkollën e Magjistraturës për t’u përfshirë më pas në sistem si gjyqtarë ose prokurorë.

Më tej, ministrja Gjonaj ka bërë një prezantim të planit të masave që po zbatohet, në funksion të Strategjisë Antikorrupsion. Ajo ka folur për mekanizmin ndërinstitucional kundër korrupsionit, që ka ngritur qeveria shqiptare si dhe për rezultatet konkrete të arritura nga Task Forca Antikorrupsion në evidentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të një numri të madh drejtuesish dhe punonjësish të administratës shtetërore. Sipas ministres, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim është duke luajtur platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në të cilën qytetarët kanë mundësi të denoncojnë çdo akt korruptiv që ata konstatojnë në institucionet shtetërore. Nga ana e tij, Kreu i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit, Stephan Brandner, theksoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për të gjitha reformat e ndërmarra, me qëllim që të shpejtohet rruga e integrimit në Bashkimin Europian. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë