Histori

Gjermania përkujton gjyqet ndaj nazistëve

Për herë të parë në histori nisi në Nuremberg më 20 nëntor 1945 procesi i parë gjyqësor kundër përfaqësuesve të një regjimi të padrejtë. Fuqitë aleate që kishin fituar mbi Gjermaninë naziste nxorën në bankën e të akuzuarve 21 kriminelë të rangut të lartë gjatë luftës, ndër ta zëvendësin e Adolf Hitlerit, Rudolf Hess dhe marshallin Hermann Gëring.

Procesi përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Nurembergut zgjati rreth një vit dhe përfundoi me dymbëdhjetë dënime me vdekje, shtatë dënime me heqje lirie dhe tre shpallje pafajësie.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i quajti proceset e Nurembergut kundër figurave kryesore naziste si elemente konstitutive për sistemin e sotëm ndërkombëtar të drejtësisë penale. Pa këto procese nuk do të kishte as Gjykatë Penale Ndërkombëtare në Hagë, tha Steinmeier gjatë ceremonisë përkujtimore në Nuremberg.

Pa Nurembergun nuk do të kishte gjykata kombëtare

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier

"Pa Nurembergun krerët e luftërave nga Serbia, Kroacia ose Ruanda nuk do të ishin ndëshkuar për vrasje masive, tortura dhe përdhunime, dhe as gjenocidi nuk do të dënohej sot si një vepër penale sot. Pa Nurembergun nuk do të kishte asnjë parim të së drejtës ndërkombëtare dhe gjykatat kombëtare nuk mund të ndiqnin juridikisht krime bazuar në të drejtën ndërkombëtare civile." - tha Steinmeier.

Ndjenja e fajit dhe e pendesës

Në vitin 1945 shumica e gjermanëve nuk ishin të gatshëm të pranonin fajin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe megjithë vendimet e diferencuara të marra nga trupi gjykues shumica e gjermanëve e konsideronin këtë proces, si "drejtësi të fituesve ndaj të mundurve".

"Ndjenja e fajit është gjithmonë diçka personale", thotë 81-vjeçari Niklas Frank, i cili është një nga ata që i është dashur të përballet vetë me traumën e Gjermanisë naziste dhe përpunimin e saj pas Luftës II Botërore.

Babai i tij ishte Hans Frank, Guvernatori i Përgjithshëm në Poloninë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore - dhe në këtë mënyrë përgjegjës i drejtpërdrejtë për katër nga kampet shfarosëse të nazistëve. Niklas Frank ishte gjashtë vjeç kur mbaroi lufta dhe ende kujton se si familja e tij refuzonte ta pranonte fajin e babait, kur ai po gjykohej në Nuremberg. Hans Franku dënua me vdekje dhe e varën në tetor të vitit 1946.

Gjermania vazhdon ta mbajë të gjallë kujtimin për mizoritë e periudhës naziste - veçanërisht në kohërat e sotme, kur antisemitizmi dhe ekstremizmi i djathtë po shtohen përsëri në Europë.

Marrë nga DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë