Bota

Gjermania arreston dy spiunë rusë, dyshohet se planifikuan aksione sabotuese

Gazeta Si - Në Gjermani, prokuroria federale ka lëshuar dhe ekzekutuar dy urdhra arresti kundër dy spiunëve rusë që dyshohet se kanë planifikuar aksione sabotuese në vend. Sipas gazetës “Der Spiegel”, arrestimet u kryen të mërkurën në Beyreuth, Bavari.

Të dy dyshohet se, ndër të tjera, kanë spiunuar bazat amerikane në emër të Moskës dhe kanë planifikuar sulme në rrugët e transportit ushtarak.

Të dyshuarit, të identifikuar si Dieter S. dhe Alexander J., u arrestuan të mërkurën në qytetin Bajrojt të Bavarisë, thanë prokurorët federalë.

Prokurorët thanë se Dieter S. kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori, dhe se qëllimi kryesor ishte të minohej mbështetja ushtarake që Gjermani jep për Ukrainën.

I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria dhe ndërtesat industriale në Gjermani, thanë prokurorët përmes një deklarate.

Ai kishte mbledhur informacione lidhur me caqe potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të SHBA-së, thanë prokurorët.

Sipas tyre, Alexander J. supozohet se i ka ndihmuar atij që këto sulme t’i kryente më vonë. Dieter S., po ashtu, sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake dhe ndërtesave dhe ia kishte dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.

Dieter S. po ashtu përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Ai dyshohet se kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2016.

Sipas “Der Spiegel”, ndihma gjermane për Ukrainën është në qendër të vëmendjes së spiunve të lidhur me Rusinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë