Njerez

Gjermani, kush është “ylli” i Të Gjelbërve që ëndërron postin e Kancelares Merkel

Gjermania, pas Angela Merkelit, mund të ketë përsëri një kancelare në krye: këtë herë, megjithatë, Të Gjelbrit po vënë bast për një grua, duke promovuar kandidaturën e Annalena Baerbock, deputete në Bundestag, 40 vjeçe, nënë e dy vajzave të vogla.

"Unë kurrë nuk kam qenë kancelare ose ministre, është e vërtetë. Por unë po luftoj për një ndryshim. Për të ruajtur status quo-n, mendojnë dhe të tjerët”, deklaroi ajo së fundmi në Berlin. "Unë besoj se këtij vendi i duhet një fillim i ri", - është slogani i saj.

Ndërsa konservatorët e Unionit po shkëputen në një luftë pushteti që ka zgjatur për disa vjet dhe që së fundmi është bërë më e ndezur tek meshkujt, Të Gjelbrit duket se kanë mësuar mësimin e disiplinës partiake prej tyre.

"CDU-ja më e mirë", shkruan gazeta “Die Zeit”, menjëherë pasi kishte marrë parasysh atë që e vlerësoi si "kryeveprën e taktikave politike" të ekologjistëve.

Armin Laschet (Cdu) dhe Markus Soeder (Csu) kanë luftuar ditë e natë për një javë se kush do të duhet të përpiqet të marrë vendin e “Bundeskanzlerin”. Nga ana tjetër, sfida e brendshme e Të Gjelbërve nuk është debatuar kurrë në publik.

Dhe mesazhi i harmonisë nga ekipi që drejton partinë që nga viti 2018, i formuar nga Robert Habeck dhe vetë Baerbock, nuk e ka humbur kurrë koherencën e tij.

As edhe kur, duke bërë një hap përpara në skenë për të folur shkurtimisht, shkrimtari karizmatik nga Schleswig-Holstein, ka bërë një prapa-kthehu të lodhshme dhe të frikshme, duke promovuar personalisht Annalena-n në garën që ai do ta dëshironte dhe mund ta përballonte vetë.

"E donim të dy këtë garë, - pranoi ai, - por vetëm njëri mund të qëndronte si kandidat. Ne kemi krijuar një stil të ri të udhëheqjes, i cili unë besoj se i ka bërë shumë mirë partisë", shtoi me krenari dhe emocion.

"Kështu që unë gjithmonë kam interpretuar pushtetin”.  Fjalë të deklaruara në shtyp pak para se të zhdukej, për ta lënë skenën plotësisht të lirë për këtë grua të re dhe kompetente, për të cilën gazeta “Bild”, tashmë bën pyetjen: "A do të jetë ajo Merkel e re?".

Kush është Annalena Baerbock

Dhe në fakt trashëgimtarja e vërtetë e mundshme e kancelares - pas dështimit të Annegret Kramp-Karranbauer, ende ministre sot, e cila duhej të linte drejtimin e CDU-së për një seri problemesh - me të vërtetë duket se mishërohet te Annalena.

Ajo ka studiuar për drejtësi dhe ka një diplomë master nga “London School of Economics”. Por mbi të gjitha, shquhet për vendosmëri.

Ndryshe nga “Kancelarja e Lindjes” (Merkel), Baerbock u rrit në kontakt me politikën. Në vitet 1980, si fëmijë nga një fshat i vogël në Saksoninë e Ulët, ajo zbriste në shesh në protestat anti-bërthamore me prindërit e saj.

Në moshën 10 vjeçe, ajo ishte e tërhequr nga organizata “Greenpeace”. Dhe nga kjo fëmijëri, dilte në pah sportistja, e cila si vajzë stërvitej çdo pasdite në trampolinë dhe që u bashkua me Të Gjelbrit në moshën 25 vjeçe.

Sot, Annalena Baerbock, di të ndihet aq mirë në një fushë futbolli sikur ndodhet mbi taka të larta, ndërsa është e specializuar në dosjet e politikës së jashtme.

"Ka forca autoritare që duhet të kundërshtohen në botë. Na duhet një Evropë e fortë dhe një Gjermani që e përfaqëson atë, - thotë ajo. – Shqetësohesha kur shikoja partitë që në përpjekje për ta çuar përpara, ndalonin”, - vijo ajo, duke kritikuar konservatorët.

Të Gjelbrit janë me 23%, sipas “Forsa”-s, Unioni me 27%. Ata do të jenë aleatë të mundshëm të një koalicioni të ardhshëm.

Me kusht, që ata të mos harxhojnë të gjitha forcat e tyre në konfliktin e vazhdueshëm, duke i lënë vendin një “skuadre semafori” pa praninë e tyre.

Në sfond, mbetet një dyshim për përvojën administrative: Habeck ishte për një kohë të gjatë Këshilltar për Mjedisin dhe sot është nënkryetar i Landit të tij, ndërsa Baerbock, ka punuar gjithmonë vetëm në parti, së pari në Brandenburg - ku ajo jeton në Potsdam , me burrin e saj - dhe më pas në Bundestag, ku hyri në vitin 2013 si një përfaqësuese për politikat mjedisore.

Dhe çfarë u ka thënë kjo nënë fëmijëve të saj, të cilët, deri para disa vitesh, në përkushtimin shumë të gjatë në politikë, përjashtonte mundësinë për të drejtuar partinë?

"Burri im dhe vajzat e mia e dinë se ku është zemra ime, - iu përgjigj ajo pyetjes së një reporteri rreth dilemës së mundshme midis roleve. - Unë kam mbështetjen e tyre absolute".

Ndërkohë, të martën, aleanca konservatore CDU-CSU konfirmoi si pasues të kancelares gjermane, Angela Merkel, liderin e CDU-së, Armin Lashet. 60-vjeçari mori 77,5% të votave nga 31 anëtarë të komitetit ekzekutiv të partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë