Futboll

Gjermani-Argjentinë, gola dhe spektakël në miqësoren e luksit (Video)

Gjermania e së ardhmes po rritet me ritmin e “xhevahirëve” të saj, por duhet të fitojë ende përvojë. Miqësorja e luksit me Argjentinën, e zhvilluar në Dortmund, është mbyllur në barazim, 2-2. Argjentina rikuperoi në fund, duke u shpëtuar nga Alario dhe Okampos, të futur në fushë si zëvendësues. Pjesa e parë ishte për t’u harruar për miqtë, ndërsa banda e trajnerit Joakim Lëv, me një moshë mesatare 23 vjeç, ka funksionuar mjaft mirë. Kanë shkëlqyer yjet Gnabri dhe Havertz. I pari është autor i një goli dhe një asisti, duke shkuar në shifrën e 10 golave me fanellën e Gjermanisë.

Në këtë miqësore “big”-ësh ka pasur shumë mungesa, ku Mesi, Sane, Aguero dhe Kros janë disa nga emrat kryesorë. Një rast i mirë për të eksperimentuar, ku trajneri Lëv ka marrë sinjale pozitive. Skema e tij, 3-4-3, ishte efikase ndaj Argjentinës. Gjermania ishte superiore në mesfushë, ku Kimish zotëronte gjithçka, por edhe krahët punuan mirë. Mbrojtja e Argjentinës ka vuajtur dhe Gnabri u jep shpejt avantazhin gjermanëve, duke e çuar topin në rjetën e Markezin. Trekuartisti i Bajernit është në një ditë të mirë, si ndaj Totenhemit, dhe jep një asist për Havertz, i cili dyfishon pas 22 minutash lojë. Emre Çan luan në mbrojtje, por e bën shumë mirë punën e tij.

https://youtu.be/IHil2n1HG48?t=176
Momentet kryesore të Gjermani-Argjentinë, 2-2. Gazeta Si, 9 tetor 2019

Stonon krejtësisht dyshja sulmuese e Argjentinës, Dibala-Lautaro. Të dy të neutralizuar nga mbrojtja gjermane dhe asnjëherë nuk e gjejnë njëri-tjetrin. Shumë më mirë ka luajtur Argjentina me ndryshimin e modulit të lojës dhe futjen e Okampos, Alario dhe Akuna në fushë. Në të 66-ën, Alario shkurton diferencën dhe më pas Okampos vendos ekuilibrin 5 minuta para fundit. Gjithsesi, Gjermania tregoi superioritet deri në momentin që kishte “benzinë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë