Njerez

Gjeniut 9-vjeçar iu refuzua diplomimi para ditëlindjes, prindërit e heqin nga universiteti

Universiteti i Eindhovenit në Holandë refuzoi që të diplomojë 9-vjeçarin Laurent Simons para datës 26 dhjetor të këtij viti, duke bërë që prindërit e vogëlushit të marrin vendimin drastik duke e tërhequr djalin e tyre nga ky universitet.

Synimi i prindërve ishte që djali i tyre të merrte diplomën “Bachelor” në inxhinieri elektrike para kësaj date, për t’u bërë njeriu i parë në botë që merr një diplomë universitare nën moshën 10-vjeçare. Por, drejtuesit e universitetit thanë se kjo ishte e pamundur, pasi Laurent kishte shumë provime përpara. Si afat, universiteti u kishte propozuar mesin e vitit të ardhshëm, ofertë që u refuzua nga prindërit e vogëlushit.

Objektivi i Laurent dhe i prindërve të tij ishte marrja e diplomës brenda 10 muajve, para ditëlindjes së tij të dhjetë. Alexander Simons, babai i 9-vjeçarit tha për median holandeze se drejtuesit e universitetit e kishin qortuar për nxjerrjen vazhdimisht në media të djalit të tij.

“Nëse një fëmijë luan futboll mirë, vëmendja mediatike është e nevojshme. Djali im ka një tjetër talent dhe përse ai dhe unë të mos jemi krenarë për këtë?”, deklaroi ai për gazetën “De Volkskrant”.

Ndërkohë, në llogarinë në Instagram të vogëlushit, që menaxhohet nga prindërit e tij u postua faksimilia e një mesazhi të marrë përmes postës elektronike, ku Universiteti i Eindhovenit pranonte mundësinë që 9-vjeçari të diplomohej brenda muajit dhjetor. Postimi mbante shënimin “Gënjeshtarë! Gënjeshtarë!”.

Universiteti reagoi përmes një deklarate ku tha se nuk tërhiqet nga qëndrimi për të mos e nxituar diplomimin e 9-vjeçarit dhe paralajmëron se nëse vogëlushi nxitet për të kundërtën, atëherë mund të rrezikohet zhvillimi i tij akademik.

Universiteti kërkoi gjithashtu që të mos ushtrohet presion i tepruar ndaj Laurent, duke e cilësuar atë një “talent të pashoq”.

Më Shumë