Izraeli dhe izraelitët fajësohen për shumëçka nga udhëheqësit iranianë, por deklarata e fundit e një gjenerali të lartë të ushtrisë vendase është në kufijtë e qesharakes dhe konspiracionit.
“Ndërhyrje artificiale të huaja dyshohet se luajnë një rol në ndryshimet klimatike në Iran. Qendrat shkencore iraniane mund ta konfirmojnë këtë. Ekipe të përbashkëta izraelite dhe të një vendi fqinj po ndikojnë duke ndaluar retë që të hyjnë në Iran, për më tepër po përballemi me vjedhjen e reve dhe të dëborës”, deklaroi Gjenerali Gholam Reza Jalali, cituar nga agjencia e lajmeve ISNA.
Irani po vuan prej muajsh një mot të pazakontë dhe thatësirë të tejzgjatur, që në disa zona të vendit ka shkaktuar edhe vështirësi në furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm.
Jalali për të përforcuar teorinë e tij merr një shembull të thjeshtë.
“Në lartësinë mbi 2200 metra, malet në Afganistan dhe në Mesdhe janë të mbuluar nga dëbora, vetëm në Iran jo”, shtoi ai.
Deklarata e gjeneralit është përgënjeshtruar me takt nga shërbimet meteorologjike iraniane.
“Jalali ndoshta është në dijeni të informacioneve që unë nuk i di, por bazuar në njohuritë për meteorologjinë, mund të them që nuk është e mundur për një vend që t’i vjedhë një tjetër retë, apo dëborën”, deklaroi kreu i shërbimit të meteorologjisë iraniane, Ahad Vazife.
Kreu i këtij shërbimi thotë se thatësira është një “trend global” dhe nuk po e vuan vetëm Irani, por edhe shumë vende të tjera të botës.
“Ndryshimet klimaterike janë të tilla, që në zona të caktuara reshjet vërshojnë dhe shkaktojnë përmbytje, ndërsa në të tjera thatësia bën kërdinë”, shtoi Ahad Vazife.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.