Ngjarje

Gjendet pas 9 ditësh nëna e dy fëmijëve. U përdhunua dhe mbahej peng në Durrës. I dyshuari mohon: Erdhi vetë!

Gazeta Si – Një nënë e dy fëmijëve, e cila ishte zhdukur prej 25 korrikut, është gjetur në një dhomë hoteli në Spitallë të Durrësit, ku mbahej peng nga një 32-vjeçar.

Ersida Dyrmishi kishte 9 ditë që kishte humbur kontaktet me familjarët e saj, të cilët kishin bërë kallëzim në polici.

Marjus Musaku e ka detyruar për të bashkëjetuar të renë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Por ai ka dëshmuar në polici se nuk e ka marrë me forcë 30-vjeçaren, duke thënë se ajo shkoi vetë te ai. I akuzuari pretendon se e çoi vetë 30-vjeçaren në Komisariatin e Policisë në Durrës.

"Erdhi me dëshirën e saj. Nuk e kam marrë forcërisht, po me dëshirën e saj. Po ta kisha marrë me forcë nuk do ta sillja vetë në komisariat. Kemi njohje me njëri-tjetrin", - mësohet të ketë thënë Marjus Musaku para hetuesve.

Policia ka arrestuar në flagrancë 32-vjeçarin nga Lushnja, i cili dyshohet se e mbante nën kërcënim të mbyllur në banesë nënën e dy fëmijëve dhe tashmë do të akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë.

Ishte bashkëshorti i gruas ai që njoftoi policinë para disa ditësh, ndërsa fotoja e saj ishte shpërndarë në rrjete sociale për të kërkuar ndihmë pas zhdukjes.

Policia u vu në kërkim të gruas deri këtë të martë, kur u mësua se ajo mbahej me forcë në një dhomë hoteli nga Musaku.

Ai akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

I riu nuk është një emër i njohur nga policia si person me precedentë të mëparshëm penalë për akuzën e "pengmarrjes”.

Musaku në vitin 2018, gjithashtu ka marrë peng edhe ish-bashkëshorten e tij, të cilën e ka mbajtur të fshehur në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë