Drejtësia

Mori peng nënën e dy fëmijëve në Durrës, ‘arrest me burg’ për Mario Musakun

Gazeta Si -Marjus Musaku, 32-vjeçari nga Lushnja që akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë dhe kanosje serioze ndaj një gruaje të re në Durrës, u la në burg nga gjykata këtë të premte.

Nëna 30-vjeçare e dy fëmijëve të mitur u denoncua si e humbur më 25 korrik nga familjarët, pasi nuk u kthye në banesë pas përfundimit të orarit të punës.

Një javë më pas, ajo dhe 32-vjeçari u gjetën në një godinë në Spitallë të Durrësit, ku dyshohet se Musaku e ka mbajtur forcërisht, pas refuzimit të saj për bashkëjetesë.

Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në përfundim të saj gjykata vendosi ”arrest në burg” ndaj autorit të dyshuar.

Ai akuzohet për kryerjen disa veprave penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, ”Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë”, si dhe ”Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

Përveç këtyre, prokuroria ka ngritur edhe akuzën e ”Dhunës në familje”, të parashikuar nga neni  130/a/2 i Kodit Penal.

Në polici Musaku ka deklaruar se ka pasur njohje dhe pëlqim reciprok me të renë, por është kundërshtuar prej saj bashkëjetesa që ai i ka kërkuar.

Pas kundërshtimit të saj, ai e ka mbajtur pa dëshirë në banesën e Spitallës, duke e kërcënuar, sipas deklarimeve të saj, me jetën e bashkëshortit dhe dy fëmijëve në rast se nuk do të pranonte të jetonin bashkë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë