Biznes

Gjatë 2023, bizneset ‘gjetën’ burime të tjera parash. Në rënie financimet nga puna e banka

Nga Gazeta ‘SI’ - 58% e ndërmarrjeve shqiptare kanë treguar se deri në fund të qershorit 2023 janë financuar me të ardhurat nga shitjet, por ky tregues është në rënie nga një vit më parë. Në rritje raportohet numri i bizneseve që raportojnë se janë financuar nga rezervat, huatë dhe pjesërisht shitjet.

Të dhënat janë rezultat i anketës së Bankës së Shqipërisë me një grup të caktuar ndërmarrjesh në vend, nga ky pasqyrohen tendencat e të gjithë sektorit.

Më tej, në raport tregohen se huamarrja ka pësuar një rënie të lehtë gjatë këtij viti, 38% e tyre janë përgjigjur se kanë një hua për të paguar. Në ndarjen sipas sektorëve, pesha e ndërmarrjeve huamarrëse rezulton më e lartë në sektorin e tregtisë ndjekur nga sektori i ndërtimitdhe sektori i industrisë.

Ndryshe nga individët, bizneset shqiptare preferojnë institucionet bankare për të marrë hua, 90% e tyre që kanë borxh e kanë ndaj bankave dhe 2% nga shoqërive financiare, tendenca që raportohen në rënie nga 2022-shi. 5% raportojnë një përzierje burimesh financimi, hua bankare, hua nga persona fizikë apo mall i papaguar. Kjo normë është rritur nga viti i shkuar.

Huamarrja e ndërmarrjeve është realizuar kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe për kryerjen e një investimi afatgjatë.

Sipas monedhës, huamarrja në lekë vijon të ketë peshën kryesore në huamarrjen e ndërmarrjeve.

Gjatë periudhës, 59% e ndërmarrjeve të vogla, 60% e ndërmarrjeve të mesme dhe 49% e ndërmarrjeve të mëdha, deklarojnë se huaja e tyre është vetëm në monedhën vendase, ndërsa pjesa tjetër është në valutë (euro dhe/ose dollarë amerikanë) dhe/ose e kombinuar (lekë dhe valutë). Gjatë periudhës, huamarrja në valutë (kryesisht në euro) rezulton më e përdorur nga ndërmarrjet mëdha dhe ato të mesme (përkatësisht 39% dhe 38%) dhe më pak nga ndërmarrjet e vogla (rreth 37.7%).

Për 83% të bizneseve huaja është sa gjysma e vlerës së kapitalit, ndërsa 9% pohojnë që vlera e huasë e tejkalon atë të kapitalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë