Motosport

Gjashtë gara Sprint dhe në Botërorin e 2024-ës, për herë të parë në Majemi dhe Shangai

Gazeta Si – Do të jenë 6 edhe në 2024-ën Çmimet e Mëdha që do të paraprihen të shtunën nga gara e shkurtër në formatin Sprint. Edhe pse këto lloj garash nuk janë pëlqyer shumë, sidomos nga kampioni Maks Vershtapen. Konkretisht këto gara do të zhvillohen në Kinë, Majemi, Austri, Austin, Brazil dhe Katar.

Për herë të tretë ky format do të aplikohet para garave të Spielberg dhe San Paolo, për herë të dytë në Austin dhe Losail dhe për herë të parë në Majemi dhe Shangai, ku Formula 1 kthehet të garojë pas 4 anulimesh radhazi, për shkak të emergjencës sanitare. Masat shtrënguese në Kinë zgjatën më shumë se në çdo vend tjetër të planetit.

"Jam krenar të njoftoj selitë për eventet F1 Sprint të sezonit 2024, ku risitë janë Kina dhe Majemi. Që nga data e krijimit në 2021-shin, formati Sprint ka shtuar publikun në tv. Një argëtim më shumë në pistë për fansat gjatë eventeve”, - ka thënë Stefano Domenikali, president dhe CEO i Formula 1.

“Duhet të vazhdojmë të zhvillohemi dhe të bëjmë atë që është më e mirë për sportin tonë. Po punojmë me skuadrat dhe FOM për të përcaktuar drejtimin e të ardhmes së formatit Sprint", - u shpreh Mohamed Ben Sulajem, president i FIA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë