Më të mirat 2022

Gëzim Meta, shqiptari që po investon në Metaverse duke blerë NFT dhe tokë

Gëzim Meta është një i ri shqiptar i cili artin e ka pjesë të tijën prej disa kohësh tashmë. Por që së fundmi është bërë edhe pjesë e artit virtual, duke blerë NFT, ndoshta hera e parë që një shqiptar blen një NFT dhe që së shpejti mund të blejë dhe tokë në Metaverse.

Së bashku me motrën e tij, ai ka krijuar një pikturë në variantin NFT të Philipp Plein të cilën ai ia ka dhuruar stilistit dhe këtu nisi edhe rrugën drejt artit virtual!

Piktura që Gëzim Meta ka bërë për Philipp Plein. Gazeta "Si", 2022.

Philipp Plein ka shpenzuar 1.4 milion dollarë në një ngastër toke në Metaverse ku ka ndërtuar një kullë, një muze dhe shumë ndërtesa të tjera virtuale. Këtë hapësirë ai e ka quajtur Plein Plazza. Pjesë e projekteve të Plein është bërë edhe Gëzim Meta i cili pasi i dhuroi atij pikturën, ka blerë dhe vetë virtualisht një NFT të koleksionit të ri të lancuar në Metaverse nga Plein. Lil Godsilla është pronë e Metës që e ka blerë për 300 dollarë “por është një çmim që ndryshon vazhdimisht”.

“Ka qenë 300 dollarë dhe kjo është e mira e NFT-ve se ka tendencën që cmimi të rritet vazhdimisht”, thotë Meta.

Meta tregon për Gazetasi.al se ky është investimi i tij i parë në Metaverse. Ai aty ka krijuar account-in e tij, ka krijuar avatarin dhe është në negociata e sipër për të blerë një tokë, po afër Plein.

“Në të ardhmen do blej një tokë në Metaverse që të kem një pronë timen”, thotë Meta.

NFT që Meta ka blerë e mban në portofolin dixhital ku me anë të aplikacioneve të ndryshme, njerëzit mund të shohin kriptomonedhat dhe NFT e të tjerëve.

Një NFT mund ta mbash për ta koleksionuar ose dhe ta rishesësh. Meta ka vendosur ta rishesë.

“Unë kam bërë dhe investime në monedhat virtuale edhe pse jam munduar të tregohem i kujdesshëm për shkak të gjithë konspiracioneve që dëgjohen kudo”, thotë Meta. Ai gjithsesi dëshiron që artin virtual ta kthejë në biznes dhe NFT e tij e ka nxjerrë në rishitje dhe po pret ofertat.

Përveç blerjes së tokës në Metaverse, Meta ka në dorë edhe një pikturë të tijën që do e shndërrojë në NFT.

NFT, edhe pse janë pjesë e botës virtuale, ato mund të bëhen pjesë e botës tonë në mënyra të ndryshme dhe Meta ka e gjetur mënyrën. Ai ka pikturuar NFT e tij në një orë. Edhe pse të tjerë mund ta stampojnë NFT e tij në bluza apo kudo, Meta thotë se kënaqësia e të pasurit një NFT në pronësi është shumë e madhe.

“Unë kam dëshminë e pronësisë dhe sado ta marrin të tjerë, ekskluziviteti është i imi”, thotë Meta.

NFT e tij është një dhe e vetmja, “njësoj si piktura e Monalizës”.

Blerja e një NFT-je, përveç kënaqësisë e të pasurit një NFT, të hap edhe “rrugë”. Meta tregon se së shpejti do të jetë pjesë e një loje të krijuar nga Philipp Plein ku pjesëmarrës do të jenë të gjithë ato që kanë blerë një NFT nga ai.

Meta tregon se që në momentin që ka treguar se ka blerë një NFT, ka pasur pafund mesazhe nga Shqiptarët duke e pyetur se çfarë është një NFT dhe si funksionon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë