Drejtësia

‘Gërdeci’ / Mungojnë 2 avokatët mbrojtës, shtyhet seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu

Gazeta Si- Seanca për dosjen "Gërdeci" ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u shty këtë të enjte për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Për këtë arsye, seanca e radhës është lënë më 30 nëntor.

Gjykata i caktoi Mediut edhe një avokat kryesisht, përkatësisht Artan Simonin, me qëllim për t’u mos u zvarritur procesi.

Aktualisht, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nisur pyetjen e dëshmitarëve rreth tragjedisë së Gërdecit që la pas 26 viktima e qindra të plagosur.

Në shtator, Mediu kërkoi gjykim të zakonshëm për çështjen, duke hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar, çka do të thotë se për "Gërdecin" do të niste një gjyq nga e para.

Gjykata nuk ka pranuar listën e dëshmitarëve që u paraqitën nga avokatët e Mediut, por vetëm dëshmitarët e Prokurorisë.

Sot në dyert e gjykatës u paraqitën vetëm 4 dëshmitarë nga 8 që ishin thirrur. Gjykata vendosi që ta shtynte seancën me 2 javë dhe u vendos që të mbahej më 30 nëntor, ora 09:00.

Në rast të mungesës së avokatëve mbrojtës të Mediut, Ardian Visha dhe Henrik Ligori në 30 në nëntor, Gjykata i caktoi ish-ministrit të Mbrojtjes, avokat kryesisht Artan Simonin.

GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total 71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.

Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.

Pak ditë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.

Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë